Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë kanë nisur të martën takimin e nivelit të lartë në Arabinë Saudite.
Pala amerikane ka thënë se takimi i sotëm nuk ka të bëjë me nisje të negociatave, mirëpo për të parë nëse Rusia është “serioze” në dhënien fund të luftës në Ukrainë.
Pala ruse, në anën tjetër, ka thënë se prioritet do të ketë normalizimin e marrëdhënieve me SHBA-në.
Pala amerikane përbëhet nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, Këshilltari për Siguri Kombëtare, Mike Waltz dhe i dërguari i posaçëm amerikan për Lindje të Mesme, Steve Wikoff.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe Yury Ushakov, këshilltar për politikë të jashtme i presidentit rus, Vladimir Putin, përfaqësojnë Rusinë.
Takimi i 18 shkurtit në Riad zhvillohet pas intensifikimit të përpjekjeve të Uashingtonit për t’i dhënë fund luftës gati trevjeçare në Ukrainë, ndonëse taktikat kanë tronditur qarqet diplomatike në Kiev dhe Evropë, meqë ka paqartësi për llojin e marrëveshjes që mund të arrihet në të ardhmen, me qëllim të dhënies fund të luftës.
Ukraina, e cila nuk merr pjesë, thotë se asnjë marrëveshje paqeje nuk mund të bëhet në emër të saj. “Ne, si një vend sovran, thjesht nuk do të jemi në gjendje të pranojmë asnjë marrëveshje pa ne,” tha Presidenti Volodymyr Zelenskiy javën e kaluar.
Qeveritë evropiane, të alarmuara nga mundësia që Rusia dhe Shtetet e Bashkuara mund t’i mënjanojnë ato nga negociatat që do të përcaktojnë sigurinë e ardhshme të kontinentit, kanë kërkuar gjithashtu një rol në bisedimet e paqes.
Rusia aneksoi ilegalisht gadishullin e Krimesë të Ukrainës në vitin 2014, si dhe rajonet Kherson, Zaporizhzhia, Donetsk dhe Luhansk në vitin 2022.
Pretendimet e Rusisë për të aneksuar katër rajonet në tërësinë e tyre u bënë pavarësisht se nuk i kontrollonte të gjitha, duke përfshirë dy kryeqytete rajonale – Kherson dhe Zaporizhzhia.
Vitin e kaluar, presidenti rus Vladimir Putin tha se si kusht për negociatat e paqes, trupat ukrainase duhet të largohen nga rajonet Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia.
“Lëshime territoriale ndaj asaj që tani quhet Ukrainë u bënë nga udhëheqja sovjetike gjatë formimit të BRSS”, tha Lavrov në komentet e raportuara nga Reuters.
Lavrov tha gjithashtu se ai nuk sheh asnjë rol për Evropën në negociatat se si t’i jepet fund pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia.
“Nëse ata do të dalin me disa ide dinake për ngrirjen e konfliktit në këtë mënyrë, dhe ata vetë… kanë parasysh vazhdimin e luftës, atëherë pse t’i ftojmë?” tha ai.
Pas një samiti urgjent të liderëve evropianë në Paris më 17 shkurt, presidenti francez Emmanuel Macron ripohoi nevojën për garanci të forta sigurie për Ukrainën, duke paralajmëruar se një armëpushim pa ta rrezikon të shembet si marrëveshjet e dështuara të Minskut.
/Argumentum.al