Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani prezantoi sot strategjinë e parandalimit të krimeve elektorale në një tryezë të organizuar nga shoqëria civile lidhur me zgjedhjet elektorale të 11 majit.
Dumani u shpreh se, “askush nuk duhet të ketë frikë sa kohë që është në përmbushje të detyrimeve ligjore dhe kushtetuese dhe askush nuk duhet të ketë frikë sa kohë që është në përmbushje të detyrave të tij”.
Ne, theksoi ai, “jemi institucion i ndjekjes penale dhe është detyrim kushtetues dhe ligjor që sa herë para nesh paraqitet një rast për t’u trajtuar si një fakt penal ne jemi të detyruar të ushtrojmë ndjekje penale dhe të kryejmë të gjitha veprimet e nevojshme dhe të duhura hetimore në funksion të ngritjes së një akuze të suksesshme”.
“Ky është detyrim kushtetues dhe ligjor, por patjetër askush nuk duhet të ketë frikë dhe të vazhdojë në normalitetin e tyre të përditshëm, sa kohë nuk janë në shkelje të ligjit”, tha Dumani.
Kreu i SPAK u shpreh se ka një bashkëpunim shumë të mirë me zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm në përgjithësi, por edhe në mënyrë të veçantë sa i takon hetimit të krimit zgjedhor, ku shtoi ai, “kemi rënë dakord për të përmirësuar këtë bashkëpunim duke ravijëzuar, përcaktuar dhe mënyrën konkrete sesi do të trajtohen rastet që do të paraqiten para zyrës tonë apo zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm për të evituar dhe konfliktin e kompetencave dhe për t’u zgjidhur në kohë reale çështja e kompetencës, me qëllim që hetimi të vazhdojë”.
Sipas tij, zgjedhjet në vend janë të lidhura me shtetin e së drejtës, ndërsa shtoi se hetimi do të kryhet në përputhje me ligjin dhe pa ndikim politik.
Dumani theksoi se, “zgjedhjet lidhen pazgjidhshmërisht me shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit me mirëqeverisjen, transparencën dhe llogaridhënien, të cilat janë pjesë e grup-kapitullit të parë të negociatave me BE-në”.
“Hetimi do të kryhet në përputhje me ligjin dhe pa ndikim politik. Krimi zgjedhor edhe ai me financimet jo formale, zgjatja e hetimeve post factum krijon mosbesim. Prandaj, SPAK reflektoi me miratimin e strategjisë në përmbushje të detyrimit ligjor, në përmbushje të rekomandimeve të Kuvendit. Strategjia është publike dhe aksesohet nga kushdo”, tha ai.
“Po të shikohet me vëmendje, kemi reflektuar shqetësimet e organizatave ndërkombëtare, të OJQ, por krahas saj edhe disa masa konkrete që kemi vlerësuar se do t’i shërbejnë hetimit në kohë reale për hetimin e krimit zgjedhor”, deklaroi Dumani.
/Argumentum.al