Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ku falënderuar “qeverinë dhe popullin shqiptar për mbështetjen e dhënë ndaj Ukrainës dhe popullit ukrainas”.
Në platformën sociale X, Zelenskyy njoftoi se në bisedën telefonike diskutuan “shumë tema të spikatura, projekte të përbashkëta dhe perspektiva më të gjera”.
“Biseduam edhe për iniciativat diplomatike evropiane. Është thelbësore që Evropa të jetë në tryezën e bisedimeve. Gjithçka për Evropën duhet të jetë me pjesëmarrjen e Evropës dhe gjithçka për Ukrainën duhet të jetë me pjesëmarrjen e Ukrainës”, shkroi Zelenskyy.

Ai gjithashtu theksoi se vizioni i përbashkët dhe hapat e koordinuara janë thelbësore për arritjen e paqes së drejtë dhe të qëndrueshme.
“Ne po punojmë së bashku për të forcuar sigurinë në të gjithë Evropën”, shtoi presidenti ukrainas.
Kjo bisedë vjen në një kohë kur negociatat për paqen në Ukrainë janë në një fazë delikate. Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë bisedime të drejtpërdrejta me Rusinë, duke përjashtuar Bashkimin Europian dhe Ukrainën nga fazat fillestare të negociatave. Ky veprim ka shkaktuar reagime të ashpra nga liderët europian dhe ukrainas. Presidenti Zelensky ka paralajmëruar Perëndimin që të mos i besojë pretendimeve të Presidentit rus, Vladimir Putin, për gatishmërinë për t’i dhënë fund luftës, duke theksuar se Ukraina nuk duhet të përjashtohet nga bisedimet e paqes.
/Argumentum.al