Më 23 shkurt zhvillohen zgjedhjet e parakohshme për Bundestagun. Migracioni dhe ekonomia kanë qenë temat kryesore të fushatës. CDU/CSU kryeson në sondazhe dhe premton një ndryshim politik.
Fushata elektorale ishte shkurtër, por e ashpër. Një fjalë u përsërit shpesh: ndryshim kursi. “Provuat tre vjet të bëni politikë të majtë në Gjermani. Nuk mund të vazhdoni më kështu”, tha dy javë para zgjedhjeve Friedrich Merz, kandidati për kancelar i partive konservatore CDU/CSU.
Në Bundestag, ai iu drejtua SPD-së dhe të Gjelbërve, të cilët, së bashku me FDP-në, ishin në koalicionin tripartiak të qendrës së majtë prej vitit 2021. Në nëntor 2024, qeveria u shpërbë pas muajsh të tërë debatesh për mungesën e fondeve në buxhet. Kjo situatë çoi në zgjedhjet e parakohshme, më 23 shkurt.
SPD-ja përballet me një humbje të rëndë
Ndërsa të Gjelbërit ruajnë në sondazhe një mbështetje të ngjashme me atë të vitit 2021, SPD-ja dhe FDP-ja kanë pësuar një rënie të ndjeshme. FDP-ja rrezikon të mos e kalojë pragun prej 5%, ndërsa SPD-së i kanoset një disfatë historike. Çdo rezultat nën 20% do të ishte më i keqi për këtë parti në historinë e pasluftës – dhe sondazhet e tregojnë atë shumë larg këtij pragu, aktualisht në 14%. Olaf Scholz do të bëhej kështu kancelari me mandatin më të shkurtër në 50 vitet e fundit dhe i vetmi socialdemokrat që nuk ka arritur të rizgjidhet si kancelar.
Unioni në krye, AfD në vendin e dytë
Sipas sondazheve, Friedrich Merz ka shanset më të mira për të fituar kancelarinë. Kryetari i CDU-së udhëheq Unionin e CDU/CSU, i cili, pasi drejtoi vendin për 16 vjet, kaloi në opozitë në vitin 2021 dhe tani kërkon të rikthehet në pushtet. Në vendin e dytë, me rreth 20% të votave, është AfD-ja, një parti pjesërisht ekstremiste e djathtë. Kjo është dyfishi i rezultatit të saj në vitin 2021.
Si ra SPD-ja dhe u ngrit AfD-ja?
Kandidati për kancelar i CDU-së, Friedrich Merz, e shpjegon këtë me rënien e ekonomisë. Sipas tij, “ekonomia jonë kombëtare, është tani e fundit në Bashkimin Evropian”. 50,000 kompani kanë shpallur falimentim dhe rreth 100 miliardë euro kapital biznesi largohet nga vendi çdo vit. “Ekonomia jonë po tkurret, për të tretin vit radhazi jemi në recesion. Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë në historinë e pasluftës në Gjermani.”
Sipas Merz-it, Scholz dhe ministri i tij i Ekonomisë, Robert Habeck, i cili garon si kandidat për kancelar nga të Gjelbërit, “nuk e kuptojnë më realitetin”. “A e dini si më dukeni?” – iu drejtua ai kundërshtarëve të tij. “Si dy drejtorë të punësuar, të cilët e kanë drejtuar një kompani drejt falimentimit dhe tani u thonë pronarëve: Ne duam ta vazhdojmë kështu edhe për katër vjet të tjera.”
Lufta, kriza energjetike, inflacioni
Ndërsa Merz kritikon qeverinë aktuale gjithnjë e më ashpër, kancelari Scholz kalon gjithnjë e më fort mbrojtje. Ai thotë se nuk është faji i qeverisjes së tij, por agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës që ka shkaktuar krizën energjetike dhe inflacionin. Sipas Scholz-it, vështirësitë ekonomike do të vazhdojnë edhe për shkak të politikave të papritura të presidentit amerikan Donald Trump. “Era fryn kundër nesh. Dhe e vërteta është: kjo situatë nuk do të ndryshojë thelbësisht në vitet e ardhshme.”
AfD e gatshme për koalicion me CDU/CSU
Ekonomia e dobësuar ishte njëra nga temat më të diskutuara gjatë fushatës zgjedhore. Por pas një sulmi vdekjeprurës me thikë nga një azilkërkues i refuuar në Aschaffenburg, çështja e migracionit kaloi në plan të parë. Friedrich Merz kërkoi ashpërsimin e politikës së azilit dhe paralajmëroi se, nëse do të ishte e nevojshme, do ta mbështeste edhe me votat e AfD-së.
Deputetët e AfD-së e pritën me entuziazëm faktin që, në fund të janarit, një mocion i CDU/CSU për rregullore më të ashpra për azilin u pranua për shqyrtim në Bundestag. Si përfundim, mocioni u rrëzua me votat e partive të tjera dhe disa deputetëve të CDU-së, por për partinë e skajit të djathtë, AfD, kjo ishte një fitore. “Këtu dhe tani fillon një epokë e re”, tha Bernd Baumann, drejtuesi grupit parlamentar të AfD-së. “Diçka e re po fillon dhe AfD është partia që do ta udhëheqë këtë ndryshim.” Ai e deklaroi partinë e tij të gatshme për një koalicion me CDU/CSU.
Merz përjashton koalicon me AfD-në
Pas këtij votimi, qindra mijëra qytetarë dolën në protesta kundër rritjes së ndikimit të së djathtës së skajshme në Gjermani. Edhe Scholz e kritikoi këtë bashkëpunim të konservatorëve me AfD-në. “Nuk është e parëndësishme nëse bashkëpunon apo jo me ekstremistët e djathtë. Jo në Gjermani!”, tha ai. Ai shtoi se qytetarët nuk mund të kenë besim se Unioni nuk do të bashkëpunojë me AfD-në pas zgjedhjeve. Në debatet e mëpasshme televizive, Friedrich Merz e ka përjashtuar në mënyrë kategorike çdo mundësi bashkëpunimi me AfD-në. Sipas tij, qëllimi i AfD-së është të shkatërrojë CDU/CSU-në dhe një koalicion me AfD-në nuk do të ndodhë kurrë.
Kush mund të formojë qeverinë e re?
Por Merz-it nuk do t’i mjaftojnë votat për të qeverisur pa një parti partnere në koalicion. Sa më shumë parti të hyjnë në Bundestag, aq më të ndërlikuara bëhen marrëdhëniet dhe formimi i një qeverie. E majta pritet të arrijë pragun e hyrjes në parlament, ndërsa partia e re BSW dhe FDP-ja janë në rrezik. Nëse FDP-ja hyn në Bundestag, do të nevojitet ndoshta një qeveri tripartiake. Por liberalët e FDP-së kanë thënë se nuk duan të hyjnë sërish në një koalicion me të Gjelbërit, duke lënë si opsion vetëm një aleancë mes CDU/CSU, SPD dhe FDP. Nëse FDP ose BSW nuk hyjnë në parlament, mundësitë e tjera janë një koalicion mes CDU/CSU dhe SPD-së ose mes CDU/CSU dhe të Gjelbërve.
Koalicioni kuqezi (CDU, SPD)
E zeza e konservatorëve e kombinuar me të kuqen tradicionale të së majtës politike është kodi i ngjyrave të një koalicioni mes kristiandemokratëve dhe socialdemokratëve. Në Gjermani ky quhet “koalicion i madh” (GroKo). Ka qenë në pushtet për herë të parë në vitet 1966-1969, si dhe në vitet 2005-2009 dhe 2013-2021 nën udhëheqjen e kancelares Angela Merkel
Koalicioni “Semafor” (SPD, Të Gjelbrit, FDP) — e kuqe, e verdhë dhe jeshile
Nga viti 2021 deri në 2025, Gjermania u qeveris për herë të parë nga një koalicion i qendrës së majtë nën drejtimin e kancelarit Olaf Scholz (SPD). Quhet semafor (Ampel) për shkak të ngjyrave. e kuqe për SPD, e verdhë për FDP dhe e gjelbër për ekologjistët. E filloi mandatin si një “koalicion i progresit”, por për shkak të grindjeve të shumta dështoi pas tre vjetësh
E zezë dhe e gjelbër (CDU, Të Gjelbrit)
Unioni Kristian-Demokrat (CDU) bashkëqeveris me Të Gjelbrit në disa lande gjermane, duke funksionuar mirë në nivel rajonal. Në Baden-Vyrtemberg, kryeministri i vetëm i Gjelbër, Winfried Kretschmann, formoi në vitin 2016 një qeveri me CDU-në. Ndërsa kryeministri demokristian, Hendrik Wüst, prej vitit 2022 drejton një qeveri të tillë në landin më të populluar të Gjermanisë, Renani Veriore – Vestfali
Xhamajka (CDU, Të Gjelbrit, FDP) — e zezë, e verdhë dhe e gjelbër
Një marrëveshje trepalëshe midis CDU-së, Të Gjelbërve dhe liberalëve të FDP-së nuk u realizua në nivel kombëtar në vitin 2017, pasi FDP-ja u tërhoq nga negociatat. Por ky model është testuar në nivel rajonal, si në Schleswig-Holstein, ku qeveria “Xhamajka” e kryeministrit Daniel Günther ishte në pushtet deri në zgjedhjet e vitit 2022, kur ai vendosi të kalojë në një qeveri CDU-Të Gjelbrit.
Koalicioni kenian: E zezë, e kuqe, e gjelbër (CDU, SPD, Të Gjelbrit)
Landin lindor të Saksonisë e qeveriste një koalicion midis CDU-së, SPD-së dhe të Gjelbërve deri në vitin 2024, nën drejtimin e kryeministrit Michael Kretschmer. Ky koalicion i pazakontë u krijua për të penguar rritjen e ekstremit të djathtë AfD, por në zgjedhjet e fundit, Të Gjelbrit nuk arritën të kalonin pragun prej 5% për t’u rikthyer në parlament.
E zezë, e kuqe, e verdhë (CDU, SPD, FDP)
Në landin lindor Saksoni-Anhalt qeveris që nga viti 2021 një koalicion i tillë, drejtuar nga kryeministri demokristian, Rainer Haseloff. Ky koalicion i papritur ishte e vetmja alternativë e mundshme për të penguar rritjen e partisë ekstremiste të djathtë AfD.
E zeza dhe portokalli, CSU dhe FW
Prej vitit 2018, Unioni Kristian-Social i Bavarisë (CSU) qeveris me Votuesit e Lirë (FW), ngjyra e të cilëve është portokalli. FW është një parti populiste me bazë lokale dhe me prirje nga e djathta ekstreme, e drejtuar nga Hubert Aiwanger. E fortë në zonat rurale të Gjermanisë jugore dhe lindore, FW synon një rol më të madh në nivel kombëtar dhe aktualisht ka tre deputetë në Parlamentin Europian
AfD mbetet e izoluar
AfD-ja nuk ka gjasa të hyjë në ndonjë koalicion, por drejtuesja e saj Alice Weidel deklaroi se qeveria e re do të vijojë politikën e deritanishme dhe se ndryshimi do të ndodhë gjithsesi, por “vetëm do të vonohet”.
Zgjedhjet e 23 shkurtit do të përcaktojnë kursin e ardhshëm politik të Gjermanisë./DW