Ministri i Punëve të Jashtme të Türkiyes, Hakan Fidan, ka pritur sot në takim homologun e tij rus Sergey Lavrov, ku janë diskutuar tema të ndryshme dypalëshe, rajonale dhe globale, duke përfshirë edhe luftën në Ukrainë dhe situatën në Siri, raporton Anadolu.
Në konferencën e përbashkët për media të mbajtur pas takimit, ministri Fidan u shpreh se Ankaraja zyrtare i kushton rëndësi të madhe nismës së re të SHBA-së në lidhje me luftën Rusi-Ukrainë, si një qasje e orientuar drejt rezultateve.
Duke folur më tej për luftën Rusi-Ukrainë, Fidan u shpreh:
“Garancitë e sigurisë janë diçka që ne e ndjekim nga afër. Në parim, Türkiye është e gatshme të kontribuojë për paqen”.
Kryediplomati turk gjithashtu tha se me Rusinë ndajnë pikëpamje të ngjashme për parandalimin e lëvizjeve separatiste në Siri.
Ministri rus Lavrov u shpreh se Türkiye dhe Rusia janë në kontakt, pavarësisht tensioneve ndërkombëtare, duke shtuar se presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe presidenti rus Vladimir Putin janë në kontakt të vazhdueshëm.
Duke folur për Ukrainën, Lavrov gjithashtu se nuk është e mundur të përfundojë lufta, pa eliminuar arsyet e shfaqjes së saj.
“Operacioni ushtarak (në Ukrainë) mund të ndalet kur negociatat të japin një rezultat që na kënaq”, tha Lavrov.
Ai gjithashtu u shpreh se gjatë bisedimeve me SHBA-në në Riad u shfaqën pikëpamje të ndryshme. “Do të vazhdojmë takimet me partnerët tanë amerikanë”, tha kryediplomati rus.
Lavrov e vizitoi Türkiye për herë të fundit më 18 tetor 2024, si pjesë e takimit të Platformës Rajonale të Bashkëpunimit 3+3.
Fidan dhe Lavrov u takuan për herë të fundit më 20 shkurt në Johannesburg në margjinat e takimit të ministrave të Jashtëm të grupit G20.