Në një skenë të rrallë dhe spektakolare, presidenti amerikan Donald Trump dhe homologu i tij ukrainas Volodymyr Zelensky patën sot një shkëmbim jashtëzakonisht të tensionuar, ku i pari i bëri thirrje këtij të fundit të bëjë një marrëveshje, përndryshe “ne do t’ju zhgënjejmë”.
“Ju po luani me jetët e miliona njerëzve. Ju po luani me Luftën e Tretë Botërore (…) dhe kjo që po bëni është shumë mungesë respekti për vendin, këtë vend”, tha një Donald Trump shumë i zemëruar duke gjykuar se do të ishte “shumë e vështirë” të negociohej me homologun e tij ukrainas dhe duke i kërkuar atij që të jetë “mirënjohës” ndaj Shteteve të Bashkuara.
Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance gjithashtu akuzoi Zelenskyn për “mosrespektim” të amerikanëve, gjatë një pritjeje në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë, të gjitha para kamerave.
Më herët presidenti amerikan kishte paralajmëruar homologun e tij ukrainas se do të duhej të bënte ”kompromise” me Rusinë, ndërsa ky i fundit tha se nuk dëshiron të bëjë asnjë me ”vrasësin” Vladimir Putin.
“Nuk ka marrëveshje pa kompromis. Kështu që patjetër do të ketë disa kompromise, por shpresoj që të mos jenë aq të mëdha sa mendojnë disa njerëz”, u tha Donald Trump gazetarëve.
Presidenti ukrainas e siguroi atë se Ukraina “nuk do të bëjë kompromis me një vrasës në territorin tonë”, duke iu referuar presidentit rus.
“Unë mendoj se presidenti Trump është në anën tonë”, tha ai.
Bashkëbisedimi mes dy presidentëve kishte nisur i qetë.
Trump tha se një armëpushim midis Ukrainës dhe Rusisë ishte “afër” dhe përshëndeti një “marrëveshje shumë të drejtë” për burimet e mineraleve të rralla të Ukrainës.
Të dy krerët pritet të nënshkruajnë një marrëveshje kornizë për shfrytëzimin e mineraleve strategjike të Ukrainës dhe të diskutojnë garancitë e mundshme të sigurisë për Ukrainën pasi të përfundojë lufta me Rusinë.
Lidhur me këtë, presidenti Zelensky, i cili e ftoi homologun e tij amerikan që ta vizitojë atë në Ukrainë për ta parë vetë, tha se e konsideron “të rëndësishme” që Uashingtoni të garantojë sigurinë e një force të ardhshme paqeruajtëse.
“Kjo është vendimtare. Kjo është ajo për të cilën duhet të flasim, kjo është shumë e rëndësishme,” tha ai duke theksuar se nëse Rusia nuk ndalohej, ajo do të sulmonte vendet baltike.
Donald Trump, megjithatë, mbeti evaziv në lidhje me këto garanci sigurie.