Ndihma ushtarake e SHBA-së do të ndërpritet me efekt të menjëhershëm – derisa Zelensky të vendosë “fokusin tek paqja”, sipas Shtëpisë së Bardhë.
Nga Shtëpia e Bardhë bëhet e ditur, se qeveria amerikane do të ndalojë për momentin ndihmën ushtarake amerikane për Ukrainën. Presidenti amerikan, Donald Trump e ka bërë të qartë se fokusi i tij është te paqja, tha Shtëpia e Bardhë. Prandaj, ndihmat do të pezullohen deri në një njoftim të mëtejshëm, po ashtu ato do t’i nënshtrohen verifikimit.
Kjo masë erdhi pak ditë pas grindjes së paprecedentë para kamerave mes presidentit amerikan, Trump dhe presidentit Zelensky gjatë vizitës së presidentit ukrainas në Shtëpinë e Bardhë. Ukraina ka nevojë urgjente për mbështetje të mëtejshme në mbrojtjen e saj kundër Rusisë dhe pasojat e ndërprerjes së ndihmës mund të jenë mëdha për Ukrainën. Gazeta New York Times raportoi, duke cituar një zyrtar të administratës, se mbështetja nuk do të rifillonte derisa Trump ta shihte Ukrainën të përkushtuar për negociatat e paqes me Rusinë.
Armë dhe municione me vlerë më shumë se një miliard dollarë
Urdhri i ndërprerjes së ndihmave hyri në fuqi menjëherë dhe prek armët dhe municionet në vlerë më shumë se një miliard dollarë amerikanë që janë tashmë në dorëzim ose që janë porositur. Sipas Washington Post, vendimi është marrë në një takim në Shtëpinë e Bardhë. Trump shkëmbeu mendime, ndër të tjera, me Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, Zëvendës Presidentin JD Vance dhe Sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth.
Vance: Interesat ekonomike të SHBA si garanci sigurie
Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance foli në kanalin televiziv Fox News lidhur me zhvillimet e fundit. Dera e Trump është e hapur nëse Presidenti Zelensky është i gatshëm të negociojë për paqen, tha ai. Përveç kësaj, është në interesin e Ukrainës që të hapë mundësi ekonomike në vend për SHBA-në.
Sipas zëvendëspresidentit amerikan është pikërisht interesi ekonomik i Uashingtonit për të ardhmen e Ukrainës një garanci sigurie. “Nëse doni garanci reale sigurie, nëse vërtet dëshironi të siguroheni që Vladimir Putin të mos e pushtojë përsëri Ukrainën, atëherë garancia më e mirë e sigurisë është t’u jepni amerikanëve përfitime ekonomike për të ardhmen e Ukrainës”, tha Vance. “