Nga Marjana DODA
Me rikthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan Donald Trump po përdor dy karta të rrezikshme: proteksionizmin dhe ekspansionizmin. Nëse këto dy karta vihen njëkohësisht në tavolinë, (siç në fakt po tenton të bëje Trump) ato mund të shkaktojnë një ndryshim të thellë në formësimin e ekonomisë dhe gjeopolitikës globale. Në këtë kontekst natyrshëm lind pyetja: A është Trump i gatshëm të përballet me aleanca të reja ekonomike dhe gjeopolitike që mund të mos jenë në favor të popullit amerikan?
Kjo pikëpyetje vjen pas vendosjes së tarifave nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kundër Kanadasë, Meksikës dhe Kinës. Këto tarifa janë vetëm fillimi i një lufte tregtare në shkallë të plotë që Shtetet e Bashkuara duket se sapo kanë nisur, dhe impakti i saj, pa dyshim, do të ketë jehonë globale.
Raundi i fundit i tarifave të presidentit amerikan Donald Trump ndaj partnerëve kryesorë tregtarë të SHBA-së – Kinës, Kanadasë dhe Meksikës – kanë ngjallur shqetësime rreth inflacionit dhe përçarjes ekonomike.
Por në këtë analizë, do të përqendrohemi më shumë te Kina, si fuqia e dytë ekonomike globale, ku rivaliteti dhe konkurrenca ekonomike mes saj dhe SHBA-së ka qenë gjithmonë e pranishme.
Shtetet e Bashkuara vendosën më 4 mars një tarifë të re prej 10% për mallrat kineze, duke dyfishuar tarifat prej 10% të vendosura nga zoti Trump më 4 shkurt.
Ministria kineze e Tregtisë tha në një deklaratë të martën se kundërshton me vendosmëri veprimin e Shteteve të Bashkuara dhe Kina do të marrë kundërmasa për të mbrojtur interesat e saj. Kina tha gjithashtu se tarifat shkelin rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe dëmtojnë bashkëpunimin ekonomik SHBA-Kinë.
Lufta e tarifave mes SHBA-së dhe Kinës duket se tashmë ka hyrë në një proces te vazhdueshëm tensioni dhe kundërpërgjigjesh, me një shkëmbim të vazhdueshëm masash tarifore që mund të sjellin ravijëzim të thellë në marrëdhëniet tregtare ndërkombëtare. Me një pasqyrim të disa lëvizjeve kyçe në këtë përplasje sikundër e shohim në vijim, kuptohet qartë se një luftë tregtare ka një fillim por jo një fund;
Treguesi i bursës së Nju Jork-ut ra pas shpalljes së masave të reja për tarifë shtesë, 19 shkurt 2025, Nju Jork, ShBA /VCG
1 shkurt: Presidenti Trump rriti tarifat ndaj Kinës me 10%.
4 shkurt: Kina u përgjigj me një tarifë 15% për qymyrin dhe produktet e gazit natyror të lëngshëm, dhe 10% për naftën bruto, makineritë bujqësore dhe makinat me zhvendosje të madhe.
3 mars: Presidenti i SHBA Donald Trump zbatoi tarifa të reja prej 25% për importet nga Meksika dhe Kanadaja, ndërsa rriti taksat për mallrat kineze me 10% të tjera, duke nisur kështu mosmarrëveshje të reja tregtare me tre partnerët kryesorë tregtarë të SHBA.
4 mars: Kina vendosi një tarifë 15% për pulën, grurin, misrin dhe pambukun me origjinë nga Shtetet e Bashkuara; dhe një tarifë 10% për melekuqe, sojë, mish derri, viçi, produktet ujore, frutat, perimet dhe produktet e qumështit me origjinë nga Shtetet e Bashkuara, në fuqi më 10 mars 2025
Duket qartë se ky shkëmbim masash tarifore ka krijuar një situatë tensioni, e cila pritet të ketë ndikime të thella për ekonomitë e të dyja vendeve dhe për tregtinë globale. Pasojat e kësaj përplasjeje janë më të mëdha se sa thjesht një konflikt mes dy vendeve, pasi nëse vijohet kjo logjike e reciprocitetit tarifor ato më vonë mund të kenë ndikim në shumë industri dhe ekonomitë e tjera që janë të lidhura me tregtinë globale.
Ky grafik tarifash, duke u rritur me shpejtësi të madhe, padiskutim ka potencialin të sjellë një impakt negativ të thellë, jo vetëm për SHBA-në, por edhe për ekonominë globale. Në një botë të globalizuar dhe të ndërlidhur, çdo vend ka lidhje të forta tregtare me të tjerët, dhe asnjë komb nuk është imun ndaj pasojave të luftërave tregtare.
Reagimi i Pekinit zyrtar
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Lin Jian/VCG
“Kina do të luftojë deri në fundin e hidhur të çdo lufte tregtare”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme në Pekin, pasi Kina njoftoi tarifa të forta mbi importet bujqësore nga SHBA.
Kjo erdhi brenda pak minutash nga një taksë e re prej 10% e SHBA për importet kineze që hyri në fuqi të martën – e cila shton tarifat ekzistuese si nga mandati i parë i Trump ashtu edhe ato të shpallura muajin e kaluar.
“Ne këshillojmë SHBA-në të kthehet në rrugën e duhur të dialogut dhe bashkëpunimit përpara se të jetë tepër vonë,” shtoi zëdhënësi i ministrisë së jashtme Lin Jian.
Vendosja e njëanshme e tarifave nga Shtetet e Bashkuara minon sistemin tregtar shumëpalësh, rrit barrën mbi bizneset dhe konsumatorët amerikanë dhe gërryen themelet e bashkepunimit ekonomik dhe tregtar Kinë-SHBA, thuhet në deklaratën e komisionit.
“Presioni, shtrëngimi ose lëshimi i kërcënimeve nuk është mënyra e duhur për t’u angazhuar me Kinën dhe ushtrimi i presionit maksimal ndaj Kinës është një qasje e gabuar dhe e llogaritur gabim”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Lin Jian kur komentoi vendosjen e tarifave shtesë nga SHBA për importet kineze, duke përmendur çështjen e fentanilit si një justifikim, pavarësisht kundërshtimit të përsëritur të Kinës.
“Është legjitime dhe e nevojshme që Kina të marrë kundërmasa për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e saj”, tha ai.
Presidenti Trump ka fajësuar Kinën si burimin e trafikut të fentanilit në SHBA përmes Meksikës dhe Kanadasë.
Por zëdhënësi i ministrisë së jashtme Lin Jian theksoi se shkaku kryesor i çështjes së fentanilit qëndron në vetë Shtetet e Bashkuara. “Në frymën e njerëzimit dhe miqësisë sonë me popullin amerikan, ne kemi ndërmarrë hapa të fortë për të ndihmuar SHBA-në në përgjigjen e saj ndaj çështjes së fentanilit. Kjo është e qartë për të gjithë dhe njerëz nga sektorë të ndryshëm në SHBA i kanë shprehur falënderimet Kinës në shumë raste,” tha Lin.
Foto nga VCG
Nëse Shtetet e Bashkuara vërtet duan të zgjidhin çështjen e fentanilit, duhet të qëndrojnë pranë parimeve të barazisë, respektit reciprok dhe përfitimit reciprok dhe të angazhohen në konsultime me Kinën për të adresuar shqetësimet e njëri-tjetrit, tha Lin.
“Nëse SHBA-ja ka në mendje një agjendë tjetër dhe këmbëngul për të zhvilluar një luftë tarifore, luftë tregtare apo çfarëdo tjetër, Kina nuk do të zmbrapset dhe është e gatshme të bëjë një përgjigje të duhur”, tha ai.
Duke përdorur fentanilin si pretekst, Shtetet e Bashkuara po vendosin tarifa prej 25% për importet nga këto vende, aleatë dhe miq, dhe 20% – për produktet nga rivali i saj i madh gjeostrategjik, Kina. Me këtë, Trump po hap një epokë pasigurie që është pritur shumë dobët nga tregjet.
Se fentanili është vetëm një pretekst u bë shumë i qartë edhe një herë në paraqitjen e Trump në dhomën Roosevelt të Shtëpisë së Bardhë të hënën. “Ajo që ata do të duhet të bëjnë është të ndërtojnë fabrikat e tyre të makinave, sinqerisht, dhe gjëra të tjera në Shtetet e Bashkuara – në këtë rast, ata nuk kanë tarifa”, tha ai. “Dhe unë do t’u thoja këtë njerëzve në Kanada ose Meksikë, nëse ata do të ndërtojnë fabrika makinash, njerëzit që po i bëjnë ato janë shumë më mirë të ndërtojnë këtu, sepse ne kemi tregun. Ne jemi tregu ku ata shesin më shumë,” këmbënguli ai.
Me tarifat, Uashingtoni po dëmton fqinjët e tij, por gjithashtu po dëmton dhe veten, në të njëjten kohë keqmenaxhimi i politikës tregtare nga Trump po bën që ekonomia amerikane të humbasë.
Lufta tregtare pasqyron një konkurrencë më të gjerë strategjike midis dy ekonomive më të mëdha në botë. Konflikti nuk ka të bëjë vetëm me disbalancat tregtare, por edhe me fuqinë gjeopolitike, supremacinë teknologjike dhe ndikimin global.
Kina përgjigjet ndaj akuzave të SHBA për Fentanilin
Preteksti i përdorur nga pala amerikane për të justifikuar tarifat shtesë është kontrolli dhe reduktimi i përhapjes së fentanilit, një substancë shumë e rrezikshme dhe e përdorur për të prodhuar droga të forta. Në lidhje me këtë çështje, Kina ka publikuar një raport të detajuar, ku shpjegohet qartësisht pozicioni dhe masat që ajo ka marrë për të përballuar problemin. Raporti shtron gjithashtu një kundërpërgjigje të fortë ndaj akuzave të Washingtonit, duke i cilësuar ato si të pabaza dhe të pavërteta. Kina thekson se akuzat e Shteteve të Bashkuara nuk kanë mbështetje të mjaftueshme dhe se ajo ka bërë hapa konkretë për të kontrolluar dhe kufizuar trafikun e substancave të tilla, duke bashkëpunuar me vendet dhe organizatat ndërkombëtare për të parandaluar rreziqet që sjell fentanili.
Zyra e Informacionit e Këshillit Shtetëror të Kinës publikoi të martën një raport zyrtar, të titulluar “Kontrollimi i substancave të lidhura me fentanilin – Kontributi i Kinës”, duke theksuar kontrollin rigoroz të vendit mbi kimikatet.
Kontrolli i fentanilit në Kinë/Foto nga CGTN
Vitet e fundit, Kina i ka kushtuar rëndësi të madhe mbajtjes së kontrollit mbi substancat e lidhura me fentanilin, thuhet në raport.
Vendi ka ushtruar mbikëqyrje të rreptë mbi medikamentet e lidhura me fentanilin, ka parandaluar me rigorozitet abuzimin e substancave të lidhura me të dhe ka goditur ashpër kontrabandën, prodhimin dhe trafikimin e substancave të lidhura me fentanilin dhe kimikateve pararendëse të lidhura me të.
“Këto kanë dhënë rezultate të dukshme,” thuhet në të.
Dokumenti thekson gjithashtu angazhimin e Kinës për të rritur bashkëpunimin ndërkombëtar për kontrollin e drogës përmes dialogut, hetimeve të përbashkëta dhe shkëmbimit të njohurive, duke nxitur partneritete të bazuara në barazi dhe besim të ndërsjellë.
“Kina ka arritur suksese të dukshme në bashkëpunimin e thellë me vendet e interesuara, përfshirë Shtetet e Bashkuara, në trajtimin e problemeve me substancat e lidhura me fentanilin”, thuhet në raport.
Sipas dokumentit, Kina i ka klasifikuar medikamentet e lidhura me fentanilin në listën e drogave narkotike të kontrolluara, si dhe ushtron kontroll të rreptë për sa i përket prodhimit, shitjes, përdorimit dhe eksportit të tyre.
Letra e bardhë thekson më tej se Kina nderon përgjegjësitë e veta të kontrollit të drogës, mbështet me vendosmëri sistemin ekzistues ndërkombëtar të kontrollit të drogës, merr pjesë plotësisht në marrjen e vendimeve të rëndësishme për kontrollin ndërkombëtar të drogës dhe kontribuon me mençurinë dhe zgjidhjet kineze për qeverisjen globale të drogës.
A po del Trump edhe nga Organizata Botërore e Tregtisë?
Politika proteksioniste e Trump po shkakton një riorganizim të thellë të globalizimit, duke e sfiduar modelin e tregtisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar që ka dominuar pas Luftës së Dytë Botërore. Me vendosjen e tarifave dhe masave kufizuese ndaj shteteve si Kina, BE-ja dhe Meksika, Trump ka filluar të minojë parimet e tregtisë së lirë dhe t ë hapur, që janë themeluar në kuadër të organizatave ndërkombëtare si Organizata Botërore e Tregtisë (OBT).
Veprimet e SHBA-së ndaj Kinës dhe vendeve të tjera nga ana e presidentit Trump bëjnë që të mendojmë se ai po tërhiqet de facto nga Organizatën Botërore të Tregtisë, e cila gjithashtu funksionon si rregullator i marrëdhënieve tregtare ndërmjet shteteve.
Trump me masat tarifore të ndërmarra po inicion luftëra tregtare me shtete të tjera, kryesisht me Kinën, duke sfiduar rregullat e OBT-së dhe minuar funksionin e kësaj organizate si rregullator të tregtisë globale. Kjo na bën të besojmë se ai nuk e konsideron të rëndësishme këtë organizatë. Ashtu siç u tërhoq nga marrëveshja e Klimës e Parisit dhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, vendosja e tarifave tregon gjithashtu se Trump ka dëshmuar që OBT ka humbur rëndësinë e saj në sytë e tij.
Mos të harrojmë se OBT është një forum ndërkombëtar ku shtetet mund të negocionojnë dhe zgjidhin mosmarrëveshjet tregtare në mënyrë të strukturuar dhe pa përdorur masa njëanshëm. Trump, megjithatë, ka theksuar politikën e “Amerikës së Para”, që do të thotë se SHBA do të vendosë interesat e veta mbi çdo marrëveshje ndërkombëtare. Në vend të përdorimit të mekanizmave të OBT-së për të zgjidhur mosmarrëveshjet, SHBA po përdor masa të njëanshme, si tarifat dhe marrëveshje të tjera multilaterale.
Në këtë kontekst, duket se Trump po e sfidon rolin e OBT-së si arbitër të marrëveshjeve tregtare ndërkombëtare dhe po krijon një mjedis të ri të tregtisë globale, që mund të jetë më tërësisht unipolar dhe më të pasigurt për ekonomitë e tjera.
Ky proteksionizëm rrezikon të çojë në fragmentimin e tregut global dhe të ngadalësojë rrjedhën e mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve, duke rikthyer në disa aspekte modelin e një ekonomie më të mbyllur dhe të fokusuar vetëm në interesat kombëtare. Kjo mund do të dëmtojë më së shumti vendet e varfra, të cilat janë më të varura nga tregtia ndërkombëtare dhe mund të përjetojnë rritje të varfërisë dhe pasigurisë ekonomike.
Në fakt, kjo sjellje e papërgjegjshme nuk është vetëm kundrejt rivalëve ekonomikë të SHBA-së, si Kina, por edhe ndaj aleatëve të tij, si Kanadaja, Bashkimi Europian dhe Meksika. Kjo tregon se Trump po përdor këtë taktikë për të rivendosur ekuilibrat ekonomikë globalë. Sigurisht, ky qëndrim është udhëhequr nga “lajtmotivi” i politikës së tij, “Amerika e Para”, i cili kërkon mbrojtjen e interesave ekonomike të SHBA-së, pavarësisht ndikimeve që mund të ketë tek aleatët dhe rivalët.
Kjo është, as më shumë e as më pak por një luftë tregtare që Trump po sjell në tryezën globale, pa marrë parasysh ndikimin që do të ketë mbi vendet më të varfra, të cilat mund të varfërohen edhe më tej. Ky proteksionizëm i Trump, i cili fokusohet në përfitimet e SHBA-së, do të ketë pasoja të rënda për ato shtete që varen nga tregtia ndërkombëtare dhe eksportet, duke përfshirë ato me ekonomi të brishta. Megjithatë, kjo politikë nuk është pa pasojë për vetë SHBA-në, pasi reciprociteti ekonomik dhe politik, pa dyshim, do të vijë nga Kina dhe shtetet e tjera të prekura nga masat proteksioniste, duke krijuar një cikël tensionesh dhe përplasje në skenën ndërkombëtare.
Kjo do të sjellë pasiguri ekonomike për të gjithë, përfshirë SHBA-në, duke vënë në dyshim efektivitetin e politikave proteksioniste në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur.
Ndikimi i Politikës Proteksioniste: A Po Shkatërrohet Ekonomia Globale?
Porti i Los Anxhelës plot kontejnerë për shkak të rritjes së vrullshme të importit para hyrjes në fuqi të masave për shtim të tarifës, 20 shkurt 2025/VCG
Kur SHBA vendos tarifa të larta ndaj Kinës dhe partnerëve të tjerë tregtarë, kjo nuk ka vetëm një ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë amerikane, duke rritur çmimet e mallrave për konsumatorët dhe duke dëmtuar industrinë e brendshme, por gjithashtu ka një efekt valë që prek ekonomitë e vendeve të tjera. Vendet që janë të lidhura me SHBA-në në një farë mënyre — si ato që eksportojnë produktet e tyre në këtë treg mund të ndjejnë pasojat e këtyre tarifave, pasi kërkesa për mallra të ndryshme mund të ulet për shkak të rritjes së çmimeve dhe reduktimit të fuqisë blerëse. Po ashtu, shtetet që varen nga tregtia me Kinën, si dhe vendet që përpiqen të shpërndajnë produktet e tyre nëpërmjet zinxhirëve të furnizimit global, mund të kenë vështirësi të ngjashme.
Për më tepër, kjo luftë tarifash mund të shkaktojë një rishpërndarje të burimeve dhe një destabilizim të tregjeve financiare, duke rritur pasigurinë dhe krijuar një atmosferë më të pasigurt për investitorët dhe bizneset. Ky destabilizim do të ndikojë negativisht në rritjen ekonomike dhe mund të çojë në tkurrjen e mundësive të punësimit dhe uljen e produktivitetit në nivel global.
Në këtë kontekst, është e qartë se asnjë vend nuk mund të mbijetojë në mënyrë të pavarur në një ekonomi kaq të ndërlidhur, ku çdo veprim i një aktori të madh ekonomik ka pasoja për të gjithë. Kjo luftë tarifash mund të jetë vetëm fillimi i një periudhe të pasigurtë për tregtinë globale dhe për çdo ekonomi që është pjesë e këtij sistemi të ndërlidhur.
Përgjigja e Kinës ka qenë, në fakt, e ekuilibruar, duke ofruar përsëri mundësi reflektimi për Presidentin Trump në lidhje me qëndrimin e tij ndaj këtyre masave. Ky është një moment kyç për të vlerësuar pasojat e vendimeve të tij dhe për të marrë një hap pas, para se të thellohet më tej ky konflikt ekonomik. Të pakten, deri sa të ketë një takim të nivelit të lartë mes dy presidentëve të dy fuqive globale, Trump dhe Xi Jinping, është e domosdoshme që të ketë një ndalim të kësaj beteje ekonomike. Pa një zgjidhje të tillë, kjo mund të kthehet në një luftë të pamëshirshme tregtare, që do të dëmtonte të dyja palët dhe tërë ekonominë globale./CGTN