Me ceremoninë e rreshtimit të kuadrateve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ka nisur manifestimi i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në këtë manifestim morën pjesë krerë të institucioneve të larta të vendit, anëtarë të familjes heroike Jashari, familjarë të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës së UÇK-së, ambasadorë të huaj, pjesëtarë të FSK-së dhe prijës fetarë.
Pranë Obeliskut të UÇK-së në këtë kazermë bënë homazhe si dhe më pas inspektuan kuadratet, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca, vëllai i Adem Jasharit, Rifat Jashari dhe komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari.

Presidentja Osmani tha se më 5,6 dhe 7 mars kujtohet me krenari komandanti Adem Jashari dhe të gjithë ata që e paguan lirinë me jetët e tyre.
Osmani në fjalën e saj para të pranishmëve, tha se në këto tre ditë të marsit të vitit 1998 në Prekaz ndodhi një ndër betejat më heroike të kombit shqiptar ku dëshmor, përveç burrave, ranë edhe fëmijët, gratë dhe pleqtë.
“Prekazi nuk ishte vetëm një fshat, Prekazi ishte një kështjellë e lirisë, ishte fortifikatë e pamposhtur e popullit tonë dhe e tillë mbetet edhe sot. Familja Jashari është themeli mbi të cilin u ngrit liria e Kosovës. Një monument i gjallë i sakrificës dhe heroizmit të pashoq”, theksoi Osmani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se në 27 vjetorin e Epopesë së UÇK-së po vazhdon njëjtë tradita e këtij shënimit të këtij manifestimi.
Kurti tha se grupi i Adem Jasharit e kishte quajtur veten “Ushtria e Kosovës” që nga viti 1989. Ai theksoi se ushtria e Kosovës që zuri fill më vitin 1989 u ngjiz me pak armë e pajisje ushtarake por që mbaheshin nga një grup njerëzish me vullnet të madh.

“Qysh nga viti 1989 kur Adem Jashari me shokë filluan të flasin e të punojnë për një ushtri të Kosovës dhe deri sot, kurrë nuk kemi pasur një ushtri më të fortë, më të armatosur, më të pajisur dhe më të trajnuar se sa sot”, theksoi Kurti.
Ceremonia u mbyll me performancë nga Togu Ceremonial i FSK-së.