Presidenti i Serbisë bëri të ditur se ka pasur një bisedë të përzemërt me Donald Trump Jr., djalin e presidentit amerikan Donald Trump, për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së dhe temat aktuale që formësojnë skenën politike dhe ekonomike globale.
“Theksova rëndësinë e marrëdhënieve ekonomike dhe politike ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së dhe theksova rëndësinë e bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve dhe projekteve të përbashkëta në vitet e ardhshme. Ky takim simbolizon përkushtimin për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe punën së bashku për zgjidhjen e sfidave globale”, ka shkruar Vuçiq në Instagram pas takimit.
Vuçiq po ashtu deklaroi se i ka treguar Trapës një pamje të “Beogradit tonë të bukur nga tarraca e Presidencës së Republikës së Serbisë”.
“Jam i lumtur që mysafiri ynë i dashur ka mundur të ndihet pjesë e energjisë dhe të shohë kryeqytetin tonë, i cili ndërthur të kaluarën me të ardhmen, traditën dhe inovacionin. Shpresoj që të shijoni çdo moment të kaluar në Serbi dhe besoj se ky do të jetë fillimi i marrëdhënieve edhe më të forta mes vendeve tona!”, ka shkruar ai.
Vuçiq përfundoi: “Mirë se erdhe, i dashur mik! Së bashku ndërtojmë lidhje më të forta dhe një të ardhme më të ndritshme!”.
Trump Jr. ka qenë në Beograd në shtator të vitit 2024, kur ka diskutuar me një grup biznesmenësh nga Serbia për investimet potenciale.
Kush është Donald Trump Jr.?
Trump Jr. (Donald Trump Jr.), djali i presidentit amerikan Donald Trump, është një nga këshilltarët kryesorë të babait të tij dhe luajti një rol të madh në fushatën zgjedhore të Donald Trump.
Besohet se ai do të ketë një ndikim kyç në zbatimin e politikave të administratës së re amerikane.
Donald Trump Jr është fëmija më i madh i presidentit amerikan dhe është një nga anëtarët e familjes Trump që ishte më aktiv gjatë fushatës zgjedhore.
Ai është nënkryetar ekzekutiv i Organizatës Trump, mikpritës i podcast-it “Triggered” dhe është kryesisht përgjegjës për sigurimin e nominimit për zëvendëspresident për mikun e tij JD Vance, senatorin e Ohajos që dikur kritikoi babanë e tij.
Ai është aktualisht këshilltari më me ndikim, ndërsa në SHBA përmendet edhe mundësia për të qenë kandidat presidencial, duke qenë se Donald Trump nuk mund të kandidojë për president në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028 sipas kushtetutës.
/Argumentum.al