Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara në aleancë dhe në misionin paqeruajtës në Kosovë, KFOR.
Gjatë një tryeze diskutimi në Prishtinë më 11 mars me gazetarë, pasi zhvilloi takime me krerët shtetërorë, Rutte tha misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, ofron siguri dhe stabilitet për të gjitha komunitetet, por shtoi se zgjidhja për paqe afatgjatë është politike.
“SHBA-ja është e përkushtuar tërësisht në KFOR, në NATO. Presidenti [amerikan, Donald] Trump para dy javësh në Zyrën Ovale u takua me presidentin francez dhe kryeministrin britanik dhe u përkushtua për nenin 5 dhe NATO-n. E di që SHBA-ja është e përkushtuar në KFOR”, tha Rutte.
Çështja e rishqyrtimit të pozicionit të Uashingtonit në Evropë ka nisur të qarkullojë pas deklaratave të bëra nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, në shkurt, kur ka thënë se evropianët nuk mund të presin që prezenca ushtarake amerikane në kontinent do të zgjasë përgjithmonë.
Rutte foli edhe për marrëveshjen mes Kosovës dhe NATO-s që nuk ia lejon Forcës së Sigurisë së Kosovës që të shkojë në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – pa miratimin e aleancës.

“Për aq kohë sa nuk ka një marrëveshje të re, duhet të respektojmë marrëveshjen ekzistuese. Marrëveshja thotë se nëse FSK-ja dëshiron të dislokohet diku, veçmas në veri, duhet të ketë dakordim paraprak me KFOR-in. Kur bëhet fjalë për Policinë e Kosovës, nëse janë afër kufirit, është e rëndësishme që të paktën ata të njoftojnë në kohë KFOR-in. Duam që kjo të vazhdojë dhe e di që Qeveria është e përkushtuar për këtë”, tha shefi i NATO-s.
“Sigurisht, nuk mund të parashikoni nëse gjërat do të ndryshojnë me kalimin e kohës. Por, nuk ka asgjë të re për të cilën mund t’iu njoftoj tani në këtë drejtim”, shtoi ai.
KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX. Ky mision, veç tjerash, është përgjegjës për sigurinë e vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
Osmani: Beogradi synon të destabilizojë jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin

Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, në konferencën e përbashkët, pas takimit që zgjati rreth një orë me shefin e NATO-s, Mark Rutte, tha se Serbia fatkeqësisht vazhdon të minojë përpjekjet për paqe e stabilitet dhe, nëpërmjet veprimeve hibride, grupeve kriminale dhe propagandës së vazhdueshme, e mbështetur edhe nga Rusia, Beogradi po synon të destabilizojë jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin.
Sipas saj, dëshmi e qartë për këtë janë edhe sulmet e viteve të fundit në veri e sulmet ndaj trupave të NATO-s në vitin 2023, prandaj, siç i tha ajo shefit të NATO-s, prania e trupave të NATO-s nuk është vetëm një garanci për sigurinë e Kosovës, por edhe një barrierë kundër çfarëdo lloj përpjekjeje për cenimin e paqes dhe stabilitetit.
“Me të drejtë ju dje në Bosnjë e Hercegovinë e thatë se është me rëndësi që ky rajon mos të ketë vakum të sigurisë, sepse, siç ka dëshmuar historia, shpesh herë ato vakume janë keqpërdorur nga faktor malinj, të cilëve nuk iu intereson paqja e siguria, por vetëm kaosi e jostabiliteti. Për këtë qëllim, ne dëshirojmë të thellojmë partneritetin tonë me NATO-n, duke forcuar ushtrinë tonë”, tha, ndër të tjera, Osmani.
Presidentja tha se NATO-ja është themeluar mbi vlerat mbi të cilat qëndron edhe vetë shteti i Kosovës, prandaj edhe synimi strategjik për anëtarësim është edhe domosdoshmëri strategjike për paqen dhe stabilitetin në rajon e gjithë kontinentin evropian.
Gjatë konferencës bashkë me shefin e Aleancës Veriatlantike, presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, tha se është koha që Kosova të ketë vendin e saj në aleancë. “Siç e theksova, stabiliteti i rajonit është shumë i lidhur ngushtë edhe integrimin euroatlantik të vendeve të këtij rajoni. Kosova dhe qytetarët e saj ndajnë vlerat mbi të cilat është ndërtuar NATO-ja. Është koha që Kosova të ketë vendin e saj në aleancë për të kontribuuar si anëtare e përgjegjshme dhe e përkushtuar për stabilitetin dhe sigurinë globale”.
Osmani tha se mungesa e përgjegjësisë për autorët, vetëm sa e ka inkurajuar Serbinë që të vazhdojë me sulme nëpërmjet strukturave të saj paramilitare, prandaj është me rëndësi që të bashkërisht ta fuqizohet prezenca për ta mbrojtur kufirin që të parandalohet si hyrja e grupeve terroriste dhe armatimit të tyre, të cilët kanë për qëllim krijimin e konflikteve në rajonin tonë.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se ka qenë kënaqësi pritja e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Në një postim në X, Kurti theksoi se Kosova ka qenë cak i ndërhyrjeve në zgjedhjet parlamentare nga Serbia.
“Kënaqësi të mirëpresim sekretarin Mark Rutte që vjen në Prishtinë, në vizitën e tij të parë në rolin e tij aktual në krye të Aleancës. Ne vlerësojmë bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe rikonfirmojmë angazhimin tonë për sigurinë rajonale dhe evropiane. Theksova gjithashtu progresin e rëndësishëm demokratik të Kosovës. Megjithatë, si shumë vende evropiane, ne kemi qenë në shënjestër të ndërhyrjeve në zgjedhje, në rastin tonë nga Serbia me ndihmën ruse, një mjet i përhapur që përbën një kërcënim kritik për demokracinë në epokën aktuale.”
Rutte, përveç Kurtit, është takuar edhe me presidenten e vendit, Vjosa Osmani. Në konferencën e përbashkët për media, Rutte dha mesazhin e qëllimit të palëkundur të NATO-s për siguri afatgjatë në Kosovë dhe rajon.
/Mbështetur në informacionet nga RTK dhe REL