Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova ka takuar në Azerbajxhan homologun e saj Ilham Aliyev.
Davkova gjendet në Azerbajxhan për një vizitë zyrtare. Ajo në kryeqytetin Baku është pritur me ceremoni zyrtare nga Aliyev. Në ceremoni është intonuar himni i të dyja vendeve.
Më pas Aliyev dhe Davkova kanë kaluar në takimin ‘kokë më kokë’ si dhe midis delegacioneve. Në fjalimin e tij në konferencën e përbashkët për media pas takimeve, Aliyev theksoi nevojën për zhvillimin e marrëdhënieve tregtare midis Azerbajxhanit dhe Maqedonisë së Veriut.
Aliyev tha se që nga fundi i vitit 2024 kanë filluar t’i shesin gaz natyror Maqedonisë së Veriut, duke treguar se transporti i gazit natyror do të vazhdojë edhe këtë vit. Presidenti azerbajxhanas potencoi se janë duke punuar në mënyrë aktive në aktivizimin e vendburimeve të reja të gazit dhe se në të ardhmen mund të rrisin vëllimin e gazit të dërguar në Maqedoninë e Veriut.
“Azerbajxhani sot eksporton gaz natyror në 12 vende, prej të cilave 10 janë vende evropiane. Vitin e kaluar eksportuam 25 miliardë metërkubë gaz natyror. Megjithatë, zgjerimi i fushës dhe gjeografisë së furnizimit tonë me gaz është një temë në axhendën tonë. Evropa ka nevojë për gazin e Azerbajxhanit. Sot, gazi i Azerbajxhanit garanton sigurinë energjetike të shumë vendeve evropiane”, u shpreh ai.
Davkova, nga ana e saj, theksoi se Azerbajxhani shquhet jo vetëm me pozicionin e tij të rëndësishëm në skenën gjeopolitike ndërkombëtare, por edhe me gazin natyror dhe burimet e energjisë së rinovueshme për të cilat vende të vogla si Maqedonia e Veriut kanë nevojë.
Ajo shprehu pritjen e saj për të nënshkruar memorandum mirëkuptimi ose marrëveshje për bashkëpunimi për të avancuar marrëdhëniet me Azerbajxhanin, gjë që nuk nënkupton vetëm se do të marrin ndihmë nga Azerbajxhani për furnizimin me gaz natyror, por do të krijojë edhe mundësi për bashkëpunim ekonomik.
Davkova tha se ishte tronditëse që supozimet e reja rreth rendit botëror po parashtrohen në shekullin e 21-të. “Ky rajon i gjerë, që përfshin edhe Ukrainën, është në qendër të ngjarjeve globale dhe palë të ndryshme po përpiqen të fitojnë ndikim në këtë rajon. Besoj se Evropa i ka hapur sërish dyert dhe falë sukseseve tuaja ne mund të vazhdojmë bashkëpunimin tonë në të ardhmen”, u shpreh ajo./AA