Presidenti amerikan Donald Trump, e ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që synon shkurtime të mëdha në shtatë agjenci federale – përfshirë Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Media Globale (USAGM) e cila mbikëqyr Radion Evropa e Lirë dhe transmetuesit tjerë federalë.
Urdhri i nënshkruar në orët e vona të 14 marsit, shënjestron edhe agjenci që merren me të pastrehët, mosmarrëveshjet në punë dhe zhvillimin e komunitetit.
“Brenda shtatë ditëve prej datës së këtij urdhri, kreu i secilit entitet qeveritar që është renditur [në urdhër] duhet t’ia dorëzojë një raport drejtorit të Zyrës për Menaxhim dhe Buxhet, për të konfirmuar zbatimin e plotë të këtij vendimi dhe të sqarojë se cilët komponentë apo funksione të njësive qeveritare – nëse ka të tillë – kërkohen me ligj dhe në çfarë shkalle”, është thënë në urdhër.
Disa orë pas publikimit të urdhrit ekzekutiv, mediat publikuan një letër nga USAGM-ja, ku thuhej se granti i miratuar nga Kongresi për financimin e Radios Evropa e Lirë, është ndërprerë, shkruan REL.
Letra u nënshkrua nga Kari Lake, e cila u vetënënshkrua si këshilltare e lartë e ushtruesit të detyrës së shefit ekzekutiv të USAGM-së, me autoritete të deleguara prej tij.
Lake është nominuar nga Trump për të marrë postin e udhëheqëses së Zërit të Amerikës, megjithëse emërimi i saj duhet të miratohet nga Bordi Këshillimor i Transmetimeve Ndërkombëtare.
Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve u kërkoi udhëheqësve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara që ta mbrojnë USAGM-në nga urdhri i Trumpit.
“Është skandaloze që Shtëpia e Bardhë po përpiqet të mbyllë agjencinë e financuar nga Kongresi, e cila mbështet gazetarinë e pavarur, që i sfidon narrativët e regjimeve autoritare në mbarë botën”, tha përmes një deklarate drejtori i programit të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Carlos Martinez de la Serna.
“Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve të Kongresit që ta mbrojnë këtë agjenci të rëndësishme, e cila ofron lajme të pacensuruara në vendet ku shtypi është i kufizuar”, shtoi ai.
Agjencia e SHBA-së për Media Globale është agjenci e pavarur qeveritare e SHBA-së që mbikëqyr media që transmetojnë në pothuajse 50 gjuhë dhe shtrihen te 361 milionë njerëz në baza javore.
Buxheti që ka kërkuar kjo agjenci për vitin fiskal 2025 ka qenë 950 milionë dollarë për t’i financuar të gjitha operacionet dhe investimet kapitale.
Aty përfshihen mediat sikurse Radio Evropa e Lirë, Zëri i Amerikës, Radio Azia e Lirë, Zyra e Kubës (Radio Marti), Rrjeti i Transmetuesit për Lindje të Mesme dhe Fondi i Teknologjisë së Hapur.
Përgjatë mandatit të parë, Trump – i cili ka marrë një mori vendimesh për t’i zvogëluar shpenzimet qeveritare prej kur ka nisur mandatin e dytë në janar – e ka kritikuar USAGM-in lidhur me pavarësinë editoriale dhe drejtimin që u është dhënë programeve.
Ai i ka përsëritur këto shqetësime edhe pasi ka nisur mandatin e dytë. Mbështetësit e transmetueseve, në anën tjetër, vlerësojnë se ata janë mjet i rëndësishëm i diplomacisë amerikane.
Përveç USAGM-it, urdhri shënjestrën edhe Shërbimin Federal të Ndërmjetësimit dhe Pajtimit, Qendrën kërkimore ndërkombëtare Woodrow Wilson në Institutin Smithsonian, Institutin për Shërbime të Muzeut dhe Bibliotekës, Këshillin Ndërinstitucional të Shteteve të Bashkuara për të Pastrehët, Fondin e Institucioneve Financiare për Zhvillimin e Komunitetit, dhe Agjencinë për Zhvillimin e Biznesit të Minoriteteve.

Ish-drejtori i seksionit të Euroazisë në Zërin e Amerikës, gazetari Elez Biberaj ka reaguar lidhur me mbylljen e Zërit të Amerikës, krijuar më 1 shkurt 1942 nga qeveria e SHBA-ve.
Në një postim në rrjetet sociale, Biberaj shprehet se “Zëri i Amerikës, një fener shprese dhe i së vërtetës për qindra miliona anembanë globit, u mbyll sot në emër të reduktimit të burokracisë federale”.
“Për më shumë se tetë dekada, VOA ka qenë një forcë jetike në promovimin e idealeve demokratike të Amerikës, duke prezantuar besnikërisht politikat e SHBA-së, avancimin e interesave kombëtare dhe duke shërbyer si një burim i besuar i lajmeve të besueshme për miliona në rajonet e privuara nga informacioni”, thekson ai.
Ai nënvizon se “vendimi për të çmontuar një nga pasuritë më të mëdha kombëtare të Amerikës do t’i shkaktojë dëm të thellë imazhit të SHBA-së, interesave të saj globale dhe promovimit të vlerave demokratike – dëm që asnjë kundërshtar nuk mund ta arrijë kurrë. Sot shënohet një kapitull thellësisht i trishtuar në historinë e angazhimit të Amerikës me botën”.
/Argumentum.al