REAL POLITIK NR. 104
1 – 16 MARS 2025
Komente “ flash” mbi 4 ngjarjet kryesore diplomatike, shkurt dhe shqip, vetëm me 1000 fjalë nga analisti i njohur,
DR. JORGJI KOTE
1.Europa riarmatoset! Kjo ushpall nëSamitin e jashtëzakonshëm të BE-së në Bruksel më 6 Mars. Lajmi i madh ishte miratimi i propozimit të Komisionit Europian për krijimin e fondit kolosal prej 800 miliard Euro për riarmatosjen e Europës përballë kërcënimit rus dhe krisjes me Aleancën me SHBA-në; ndonëse demarshet për ta mbajtur gjallë Aleancën më të madhe të vlerave, parimeve dhe interesave të përbashkëta vijojnë, Europa po përgatitet që shumë shpejt të jetë në gjendje ta mbrojë vetë vehten. Me logon e famshme ” Nëse do paqe, përgatitu për luftë”!
Fondi shoqërohet me masa të tjera ekonomike, heqjen e kufizimeve buxhetore për mbrojtjen, etj. Ndërkohë, BE-ja është në kërkim të aleancave të reja për t’i dalë zot vehtes dhe aleatëve të saj. Është gati Londra, me shumë gjasa dhe Ankaraja, dy vendet me ushtritë më të fuqishme mbas SHBA-ve.
Këto dhe të tjera masa në vazhdim përfaqësojnë një ndryshim epokal për BE-në, e cila synon të kthehet dhe në një Bashkim të Madh Mbrojtës e jo më vetëm fuqi e butë si deri tani.
2. Gjermania bën epokë!
Kjo mund të thuhet me plot gojën, tani që është në proces krijimi i koalicionit të ri qeveriar në Berlin ndëmjet CDU/CSU-së dhe SPD-së. Nën shembullin e BE-së, Kancelari i ardhshshm Friedrich Merz me aleatët social-demokratë kanë rënë dakord për miratimin në Bundestag të një Fondi Special për mbrojtjen prej 500 Miliard Euro. Ky fond do të përdoret për të rivenë në punë në kapacitet të plotë industrinë e fuqishme gjermane të luftës, prodhimin e armatimit të nevojshëm dhe modernizimin e forcave të armatosura. Siç është shprehur këto ditë dhe ish Ministri i Jashtëm Joschka Fisher, Merz ka shansin t’i ngjajë Adenauerit, Babait dhe themeluesit të Gjermanisë moderne; duke thyer tabunë e deritanishme, që niur nga e kaluara e saj, të ribëhet fuqi e madhe ushtarake. Dhe kjo siç pohoi këto ditë ish Presidenti gjerman Johanes Gauk nuk është ”politikë luftë, por paqeje, për mbrojtjen e saj” Tani pa shkaktuar frikë dhe rrezik për të tjerët, siç ndodhi gjatë Luftës së II Botërore. Ca më tepër se në 80 vitet e fundit, Gjermania e re dhe e ribashkuar ka treguar me prova, fakte dhe vepra të panumurta në botë dhe në Ballkanin e vendin tonë se është kampione e paqes, stabilitetit dhe demokracisë liberale në Europë. Ndërkohë, gjendja e saj më e mirë ekonomike dhe financiare e lejon atë të bëjë investime dhe të marri hua të mëdha shtetërore për të forcuar ndjeshëm aftësitë mbrojtëse.

Kjo së bashku me masat e tjera sociale dhe parandalimin e migrimit të paligjshëm do të bëjnë Gjermaninë shumë më të fortë për këdo që do të guxonte të prekte integritetin e saj territorial. Por dhe garante për mbrojtjen e vendeve të tjera aleate. Ndaj, në vend të frikës dhe dyshimit, tanimë ndaj saj pritet të dëgjohet falenderimi:
DANKE Deutschland!
3. “Hallvë e ftohtë“! Kështu po duket armëpushimi 30 ditor i miratuar nga zyrtarët e lartë amerikanë dhe ukrainas më 10 Mars; ai u prit me lehësim dhe shpresë, si hapi i parë drejt përgatitjes së terrenit për paqe të qëndrueshme në Ukrainë.
Përkundrejt pohimeve të Presidentit Trump se e ka më të lehtë të merret vesh me Putinin se me Zelenskin, Moska reagoi me shumë përmbajtje ndaj thirjes amerikane. Madje, të nesërmen e asaj marrëveshjeje, kur të gjithë pritnin reagimin e Kremlinit, Putini shkoi në Kursk me kërkesënn për të vazhduar luftën dhe për ta rimarrë plotësisht Kurskun. Në fakt, pritej ky reagim Putinit, i cili është në pozita shumë më të favorshme politike dhe ushtarake, sidomos këto tre muajt e fundit, i nxitur shumë dhe nga diplomacia zbutëse e “kulaçit“ nga Trump, e shoqëruar me “kërbaç“ ndaj Ukrainës dhe BE-së. Për rrjedhojë, Putini nuk impresionohet dhe aq nga propozimi për armëpushim; madje kërkon ta shfrytëzojë atë për të konsoliduar sa më shumë garancitë për të me disa JO gjeopolitike: JO Ukraina me kufijtë e 2014, Jo në NATO, Jo trupa europiane në Ukrainë dhe JO të tjera. Ndërkohë që Ukraina ndodhet në pozita inferiore për shkak të humbjeve në front dhe midis dy zjarreve, ruse dhe tani dhe amerikane, pavarësisht nga “ledhatimet“ e saj më të fundit diplomatike por që ashtu si “dardha, mund ta kenë bishtin nga prapa“!

Ja pse, një paqe e vërtetë dhe e qëndrueshme në Ukrainë duket më shumë si dëshirore se një realitet i mundshëm; veç kësaj, një paqe në të tilla kushte do të ishte kapitullim i Kievit dhe pushtim i ri i Ukrainës, e cila tashmë ndodhet mes dy zjarresh, nga Moska dhe Uashingtoni. Bashkë me precedentin e rrezikshëm për sulme dhe agresione të tjera ruse në të ardhmen, tanimë dhe ndaj vendeve anëtare të NATO-s, në Balltik apo Detin e Zi. Ca më tepër në kushtet kur SHBA-të nuk japin më garanci për mbrojtjen kolektive, mbi bazën e Nenit 5 të NATO-s ose i japin ato me kushte. Ja pse paqja për Ukrainën duket “hallë e ftohtë“ !
4. Komisionerja Koskërkon reformat!Më 13 Mars bëri vizitën e parë në Tiranë mbas marrjes se detyrës Komisionerja e Zgjerimit të BE-së, Slovenia Marta Kos. Vizitë rutinë, me takimet standard dhe eufemizma diplomatikë. Vërtet që vjet dhe tani ka përparim në negociatat e anëtarësimit në BE. Së shpejti priten dhe çelja e negociatave për 2 grupkapituj tejet të rëndësishëm dhe deri në fund të vitit dhe tre grup kapitujt e tjerë.

Vetëm të mos tepërohet me propagandë butaforike, sidomos kur mendon se kemi 3 vjet që i kemi çelur negociatat por që nuk dihet se kur dhe si do të mbyllen ato. Sepse tani po filojnë t’i “hapen thelat byrekut“! Veç kujdes, se këto thela quhen “REFORMA“. Ndaj zonja Kos tha se Reformat janë e vetmja gjë vendimtare që na mbetet të bëjmë. Mirëpo reformat nuk janë fjalë goje apo batuta, qoftë dhe kryeministrore, por procese madhore sfiduese; ndaj Kos deklaroi se kur t’i mbyllim negociatat ajo do të ngjitet në Korab! Prandaj, pa eufori, pa bujë dhe zhurmë propagandistike, le t‘i hymë në themel reformave, duke filluar nga zgjedhjet e 11 Majit dhe me reformat e tjera madhore që nuk i kemi filluar ende ose që janë në mes të rrugës. Dhe nuk janë pak deri në vitin 2027 që po na troket te porta!
Ky është halli, mirë që po i çelim, por si dhe kur do t’i mbyllim ato?
© 2025 Argumentum