Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian (BE) të trajtojë Kosovën në mënyrë “të barabartë” në dialogun e Brukselit, pas një takimi të hënën më të dërguarin e bllokut për dialogun Prishtinë-Beograd, Peter Sorensen.
Sorensen po e viziton Kosovën për herë të parë prej se e mori detyrën në fillim të shkurtit, për t’u takuar me zyrtarë të lartë të vendit.
Në një postim në Facebook, Osmani tha pas takimit se Kosova “është dëshmuar tashmë si pala konstruktive në dialog, e angazhuar për paqe, demokraci e sundim të ligjit”
“Prandaj mbajtja e masave të padrejta të BE-së ndaj vendit tonë po i dëmton jo vetëm qytetarët tanë por edhe balansin e nevojshëm në dialog”, tha Osmani.
Blloku evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit. BE-ja pati vlerësuar se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionim.
Sorensen pritet të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti dhe kryenegociatorin Besnik Bislimi, njoftuan autoritetet kosovare.
Sorensen ende nuk e ka ndërmjetësuar ndonjë takim të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, por ka punuar kohëve të fundit për mënyrat për ta çuar përpara dialogun, duke takuar ndaras zyrtarë nga të dyja vendet.

Ai e mori detyrën më 1 shkurt, duke e pasuar Mirosllav Lajçakun.
Në takimin e fundit në Bruksel nën ndërmjetësimin e Lajçakut, më 17 dhjetor, Kosova dhe Serbia u pajtuan për zbatimin e plotë të deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur.
Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas, tha muajin e kaluar se po dëgjonte kritika rreth formatit të deritashëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Ajo paralajmëroi se, së bashku me Sorensenin, po shqyrtonte mundësinë për ta bërë funksional dialogun mes dy vendeve fqinje.
/Argumentum.al