Në nderim të viktimave të tragjedisë në Koçan, në Republikën e Maqedonisë së Veriut nga sot do të shpallen shtatë ditë zie në të gjithë vendin. Flamuri kombëtar do të valvitet në gjysmështizë.
Ky vendim u miratua pas seancës së jashtëzakonshme të qeverisë të zhvilluar dje, pas ngjarjes tragjike të ndodhur në mëngjesin e djeshëm në Komunën e Koçanit, ku humbën jetën 59 të rinj gjatë një zjarri në një diskotekë. Gjithashtu, mbi 100 persona janë shtruar në spitale dhe janë duke marrë trajtim mjekësor.
Të gjithë duhet t’i përmbahen vendimit sepse dënimet për mosrespektim do të jenë rigoroze.
“Nuk ka fjalë që mund të lehtësojnë dhimbjen e humbjes së pariparueshme. I gjithë ekipi shëndetësor dhe mjekësor në të gjitha institucionet shëndetësore është në dispozicion dhe ofron kujdes shëndetësor dhe ndihmë për shërimin e shpejtë të të lënduarve. Në këto momente jashtëzakonisht të vështira dhe pikëlluese për mbarë popullin e Maqedonisë, kërkojmë që rasti të mos politizohet, në mënyrë që institucionet të ndriçojnë rastin në kohë dhe në mënyrën e duhur. Asnjë informacion nuk do të fshihet nga syri i opinionit”, theksohet në një deklaratë të qeverisë maqedonase.
Të gjitha ngjarjet e planifikuara në institucionet në fushën e kulturës gjatë kësaj javë anulohen, informuan nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit.
Agjencia për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele (ASHMAA) dje përmes kumtesës u theksoi mediave se duhet të harmonizojnë punën e tyre me ditët e zisë.
“Mediat të transmetojnë/publikojnë përmbajtje që për nga funksioni mediatik janë të përshtatshme për ditët e zisë. Muzika që ata do të transmetojnë duhet të jetë nga zhanret muzikore të përshtatshme për ditët e zisë, ndërsa transmetimi i emisioneve argëtuese, humoristike apo programeve nga zhanri i komedisë duhet të shtyhen deri në përfundimin e tyre. Në të njëjtën kohë, deri në fund të ditëve të zisë duhet të shtyhet edhe transmetimi i reklamave, gjegjësisht të gjitha format e komunikimeve komerciale”, theksojnë nga ASHMAA.
Ndërsa Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Shqipëri njofton se është hapur libri i ngushëllimeve për viktimat e tragjedisë në Koçan. Ngushëllimet mund të jepen më datën 17 mars 2025, nga ora 13:30 deri në 15:30. Gjithashtu, në datat 18, 19, 20 dhe 21 mars, Ambasada do të pranojë ngushëllime në intervalet kohore 09:30-12:00 dhe 13:30-15:30.
Redaksia e Argumentum.al shpreh ngushëllimet më të thella për familjen, miqtë dhe të gjithë popullin e Maqedonisë së Veriut, në këtë moment të dhimbshëm dhe tragjik!
© 2025 Argumentum