Ende janë të stacionuara në Gjermani armët bërthamore amerikane. Por distancimi i Trumpit nga Europa po e dobëson mbrojtjen e përbashkët nukleare. A mund të ndihmojë Franca?
Përgjigjen pozitive nga Berlini, Emmanuel Macron, presidenti francez kishte kohë që e priste. Disa herë ai kishte ofruar që të zhvilloheshin bisedime mes Gjermanisë e Francës për mbrojtjen nukleare, mbi bazën e armëve atomike franceze. Deri më tani ishin vetëm fjalë në erë.
Por situata po ndryshon: Kreu i CDU-së, Friedrich Merz me gjasë, kancelari i ardhshëm gjerman, është gati për dialog. Me ardhjen e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, mund të ndodhë që SHBA të mos e ofrojë më mbrojtjen nukleare si deri tani. Merz dëshiron të bisedojë me dy fuqitë atomike Francën dhe Britaninë e Madhe për këtë çështje. Parisi i ka hapur dyert.
Bombat amerikane në Gjermani
Prej dekadash Gjermania ka qenë nën mburojën nuklerare të SHBA. Flitet se në Gjermani gjenden deri në 20 bomba atomike, por kodi për përdorimin e tyre ndodhet vetëm në duart e presidentit amerikan. Nga ana e vet Bundeswehri vë në dispozicion avionët luftarakë, që në rast nevoje do t’i transportojnë ato. NATO e quan këtë organizim të përbashkët„pjesëmarrje nukleare”, ku marrin pjesë edhe vende të tjera europiane.
Ekspertët e sigurisë nuk llogarisin me atë që SHBA do t’i heqin armët bërthamore në një të ardhme të afërt. “Nuk mendoj se është një skenar i afërt, sepse NATO dhe pjesëmarrja nukleare janë me rëndësi të madhe strategjike për SHBA për arsye të ndryshme”, është i mendimit, Sascha Hach, ekspert për sigurinë europiane dhe kontrollin e armatimit në Institutin për Studimet e Paqes në Frankfurt, PRIF. “Por megjithatë nuk mund të përjashtohet.” Një nga avantazhet strategjike të SHBA është mundësia e reagimit kundrejt agresioneve ruse në Europë.
Gjermania nuk ka të drejtë të ketë armë bërthamore
Edhe nëse bombat amerikane mbeten në Europë, dyshimet që mbjell Donald Trump lidhur me premtimin amerikan për NATO-n janë të dëmshme dhe minojnë besueshmërinë e kërcënimit nuklear. Gjermania, që gjithmonë është mbështetur tek SHBA synon tani të riorientojë politikën e saj të sigurisë. Bundeswehri do të duhet të armatoset më shpejt se ishte e planifikuar. Edhe për mburojën atomike po debatohet: Sa e vlefshme është ajo në këto rrethana kundër arsenalit të madh nuklear të Rusisë me më shumë se 5500 koka atomike?
Vetë Gjermania nuk lejohet të ketë armë atomike. Këtë e ka përcaktuar “Marrëveshja Dy plus Katër” e ribashkimit të Gjermanisë.
Në Europë vetëm Britania e Madhe dhe Franca kanë armë atomike, Brenda BE vetëm Franca. Një bashkëpunim i ngushtë duket rruga më e mirë. Por ka edhe kufizime: Forcat atomare britanike janë të lidhura ngushtë me ato amerikane dhe në rast konflikti i vihen në dispozicion NATO-s. Ndryshe është situata në Francë, që i jep rëndësi të madhe mëvetësisë së forcave të saj armatosura atomike. Ato nuk janë të varura nga strukturat e përbashkëta komanduese të NATO-s.
Franca zotëron sipas disa llogaritjeve 290 koka atomike që mund të komandohen nga nëndetëse atomike apo avionët luftarakë Rafale. Forcat e armatosura atomike duhet të mbrojnë “interesat vitale” të vendit, thuhet në doktrinën franceze. Sipas interpretimit francez ato njëkohësisht forcojnë edhe sigurinë e Europës duke vështirësuar kalkultimet e armiqve të mundshëm.
Ç’pamje do të kishte një bashkëpunim në këtë drejtim?
Në Paris thuhet, se fillimisht duhet zhvilluar një dialog intensiv. Informacionet mbi mënyrën e veprimit dhe planin strategjik të armëve atomike janë tejet të rëndësishme. Franca ka këtu përvojë me dekada, të cilën Gjermania nuk e ka.
Ajo që mendohet janë trajnime të përbashkëta të aviacionit luftarak francez dhe atij gjerman, thotë eksperti francez i sigurisë, Camille Grand nga Këshilli Europian për Marrëdhëniet me Jashtë. Kjo mund të përfshinte edhe aderimin e avionëve Rafale në Gjermani. Nuk bëhet fjalë, si u përfol në media për stacionim të avionëve luftarakë atomikë francezë apo infrastrukturë tjetër nukleare në Gjermani./DW