Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha mori pjesë sot në samitin e Partive Popullore Europiane (EPP) që po mbahet në Podgoricë, Mali i Zi.
Në një prononcim për mediet, kryedemokrati tha se “fokusi i takimit ishte Ballkani Perëndimor në raport me proceset e integrimit, sfidat dhe pengesat”.
“Pata rast të paraqes pikëpamjet e Partisë Demokratike mbi proceset e integrimit të Shqipërisë dhe rajonit. Natyrisht nga këndvështrimi i opozitës, ngadalësimi i këtij procesi ka shkaqe të brendshme sipas vendeve”, tha Berisha.
Sipas Berishës, “narkoshteti në Shqipëri është pengesa kryesore e integrimit të Shqipërisë në BE”.
“Shqipëria si narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë, është jo tërësisht i njohur si i tillë, por unë mendoj se, po kontribuohet gjithnjë e më shumë për të bërë të njohur para elitës politike të qendrës së djathtë europiane dhe më gjerë, realitetin shqiptar”, tha Berisha.
Berisha tha se ngadalësimi i procesit të integrimit lidhet tërësisht nga faktorë lokalë.
“Nga mosrespektimi i standardeve demokratike, nga penetrimi i thellë i krimit në qeverisje. Në Shqipëri konkretisht narkoshteti, nga përdorimi i terrorit politik për të marrë vota dhe mandate”, tha Berisha.