Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim në Kuçovë me përfaqësues të bizneseve të vogla dhe të mesme të zonave rurale, ku u ndal te Paketa e Maleve, përfituesit e saj.
Kryeministri tha se nga Paketa e Maleve do të jenë 500 përfituesit e parë që do të zhvillojnë sipërmarrjen e tyre 10 vjet pa taksa dhe me TVSH 6%.
“Duhet të jenë tek 500 të parët, ndaj ata të futen të bëjnë aplikimin sepse i 501 do përfitojë nga paketa e maleve, por nuk do përfitojnë 10 vjet pa taksa”, u shpreh Rama.
Ndërkohë, një i ri nga Tropoja që është pjesë e sipërmarrjes familjare në Hanin e Gështenjave e pyeti Kryeministrin në lidhje me lehtësitë që ofrohen nëse vendos të investojë në një linjë të përpunimit të gështenjave.
“Nëse të jep Këshilli Bashkiak dëshminë që e ke tokën e stërgjyshit, bën projektin e linjës së përpunimit, merr mbështetjen edhe bankat. Transaksioni bëhet me vetëm 1 euro dhe ti vazhdon procesin 20/20 deri kur ta bësh tëndin”, u shpreh Kryeministri, teksa vazhdoi batutat me të riun duke thënë se “Tropoja priti shumë gjatë deri sa e kuptoi që s’ka më kohë për të humbur. Tani që e ka kuptuar ka mbaruar ajo punë, Tropoja vetëm përpara”.
“Nuk ka asnjë vend në Shqipëri në 28 mijë kilometra katrorë që të mos jetë i mundshëm për të bërë këtë që keni bërë ju. Shqipëria e ka kapërcyer errësirën, dhe tani vetëm thith. Ata që vijnë një pjesë kanë mall për detin, një pjesë vijnë për malet. Do vijë koha kur të zbulohen malet e Shqipërisë dhe ato do të jenë miniera e industrisë sonë të turizmit. Kur të fillojë në male të rritet cilësia e shërbimit, jo vetëm për ata që bëjnë alpinizëm, por edhe për ata që vijnë të vrima e miut në mal që të kenë një shërbim me pesë yje, këtu do të bëhet nami”, pohoi Rama.