Mijëra njerëz, kryesisht të rinj, u mblodhën në sheshin “Maqedonia” në Shkup në një tubim paqësor në nderim të viktimave nga zjarri që përfshiu një klub nate në qytetin e Koçanit.
Në tubimin në qendër të kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut, pjesëmarrësit kërkuan llogari për tragjedinë dhe shprehën revoltën e tyre, duke mbajtur pankarta me mbishkrime si “Populli vuan ndërsa sistemi pushon”; “Korrupsioni djeg, të pafajshmit digjen”; “Rekorderë me ditë zie”; “Nuk do të kishte kaq shumë gjak nëse do të ishte sipas ligjit”; dhe “Të gjitha vitet e heshtjes mbyllen me një minutë heshtje”.
Nëpërmjet dritave, të pranishmit po ashtu shprehën solidaritet dhe ngushëllimet e tyre.

Në orët e para të 16 marsit, në një diskotekë në Koçan shpërtheu një zjarr i tmerrshëm, ku 59 persona humbën jetën ndërsa 155 të plagosur po vijojnë të marrin trajtim mjekësor në spitalet e zonës së Koçanit, por dhe shtete të tjera. 20 prej tyre janë raportuar në gjendje më të rëndë.
Autoritetet gjyqësore kanë caktuar masën e paraburgimit afatshkurtër për 16 persona. Siç njoftohet, lokali në fjalë ka nuk ka vepruar sipas rregullores dhe nuk ka pasur licencë pune.
Në Maqedoninë e Veriut flamujt u ulën në gjysmështizë në ditën e parë të 7 ditëve të zisë kombëtare.
Ndërkohë, që prej pasdites së të hënës, në vend nisën protestat e qytetarëve të indinjuar me ngjarjen. Në Koçan u zhvilluan disa protesta. Protestues marshuan përpara prokurorisë dhe gjykatës së qytetit ndërsa në zemërim e sipër dhjetra prej tyre ndaluan përpara një prej lokaleve në pronësi të të njëjtit person që kishte klubin e natës ku ndodhi tragjedia. Ata shkatërruan pjesën më të madhe të lokalit dhe një automjet që pretendohej se i përkiste të njëjtit person.
Protesta paralele po zhvillohen pothuajse në të gjitha qytetet e Maqedonisë së Veriut.
/Argumentum.al