Nga Jon Gjini
Më 18 mars 2025, Gjykata Federale e Maryland-it mori një vendim të rëndësishëm në çështjen 8:25-cv-00462- TDC, duke pezulluar përkohësisht dekretin ekzekutiv të Presidentit Donald Trump që synonte mbylljen e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Në argumentin e tij, gjykatësi Theodore D. Chuang i erdh perfundimit se Presidenti nuk ka kompetencë të njëanshme për të shpërbërë një agjenci federale të krijuar nga Kongresi pa miratimin e tij, duke e cilësuar këtë veprim si “potencialisht jokushtetues.”
Ky vendim është një fitore e përkohshme për 26 punonjës dhe ish-punonjës të USAID-it, të cilët ngritën padi kundër administratës Trump, duke argumentuar se mbyllja e agjencisë përbën një shkelje të ndarjes së pushteteve dhe një tejkalim të kompetencave ekzekutive.
Gjykata theksoi se Presidenti nuk mund të ndërhyjë në strukturën e administratës federale përmes një dekreti, pa një proces të miratuar nga Kongresi, i cili ka autoritetin e vetëm për të shfuqizuar ose reformuar një agjenci të krijuar me ligj.
Sipas vendimit, mbyllja e USAID-it në mënyrë të njëanshme jo vetëm që do të përbënte një precedent të rrezikshëm për të ardhmen, por gjithashtu do të rrezikonte vazhdimësinë e financimeve të miratuara nga Kongresi, duke vendosur në pasiguri projektet ekzistuese ndërkombëtare.
Procedura Gjyqësore dhe Argumentet Ligjore
Padia u shqyrtua në një seancë emergjente, duke marrë në konsideratë urgjencën e çështjes dhe ndikimin e menjëhershëm të pezullimit të financimeve për projektet ekzistuese të USAID-it.
Administrata Trump mbrojti pozicionin e saj duke pretenduar se Presidenti ka të drejtën të menaxhojë politikat federale dhe të vendosë mbi financimin e ndihmës së jashtme, duke e parë këtë si një kompetencë ekzekutive që nuk kërkon miratimin e Kongresit.
Nga ana tjetër, pala paditëse argumentoi se një veprim i tillë është antikushtetues, pasi USAID është një agjenci e krijuar me ligj nga Kongresi dhe vetëm ai ka kompetencë për ta modifikuar ose shpërbërë atë.
Në vendimin e saj prej 68 faqesh, gjykata konfirmoi se Presidenti nuk mund të ndërhyjë në ndarjen e buxheteve federale apo të ndryshojë strukturën e administratës publike përmes një dekreti ekzekutiv, pa miratimin e Kongresit.
Duke u bazuar në këto argumente, gjykata vendosi një ndalim të përkohshëm të dekretit presidencial dhe urdhëroi rikthimin e menjëhershëm të funksioneve të USAID-it, përfshirë rifillimin e financimeve dhe aksesin në sistemet operative të agjencisë.
Për Shqipërinë dhe Kosovën
Vendimi i gjykatës ndikon drejtpërdrejt në vendosmërinë e ndihmës ndërkombëtare të SHBA-së, veçanërisht në vende si Shqipëria dhe Kosova, të cilat kanë përfituar ndjeshëm nga fondet e USAID-it.
Në Shqipëri, USAID ka investuar mbi 500 milionë dollarë që nga viti 1992, duke financuar reforma në drejtësi, mbështetjen e sipërmarrjeve të vogla dhe fuqizimin e medias së lirë. Mbyllja e kësaj agjencie do të linte në pasiguri shumë nga këto projekte, të cilat varen nga fondet amerikane për të siguruar vazhdimësinë e tyre.
Në Kosovë, ndikimi i USAID-it është edhe më i ndjeshëm. Me mbi 1 miliard dollarë të investuara në dy dekadat e fundit, ndihmat e USAID-it kanë qenë kyçe në forcimin e institucioneve demokratike, zhvillimin ekonomik dhe mbështetjen e projekteve për energjinë e rinovueshme. Pa këtë ndihmë, Kosova do të përballej me vështirësi të mëdha në ruajtjen e stabilitetit politik dhe ekonomik.
Megjithëse vendimi i gjykatës për momentin garanton vazhdimin e ndihmës amerikane, ai nuk e eliminon rrezikun afatgjatë. Administrata Trump mund të ndjekë strategji alternative për reduktimin e ndihmave, përfshirë :
- Reduktimin gradual të fondeve të miratuara nga Kongresi.
- Vendosjen e kritereve më të ashpra për përfituesit e ndihmave.
- Ristrukturimin e mënyrës së shpërndarjes së fondeve, duke i drejtuar ato në projekte të reja me prioritete të ndryshme nga ato ekzistuese.
Nevoja për Reformë: Abuzimi me Fondet e USAID-it
Pavarësisht se vendimi i gjykatës ndalon përkohësisht mbylljen e USAID-it, është e qartë se një reformë e kësaj agjencie është e domosdoshme. Në vitet e fundit, ka pasur raportime të shumta mbi abuzimin me fondet e USAID-it, veçanërisht në vende si Shqipëria dhe Kosova, ku disa OJQ dhe individë kanë përfituar nga fondet pa transparencë të plotë.
Raste të keqpërdorimit të financimeve për projekte të cilat nuk kanë dhënë rezultate konkrete kanë ngritur pikëpyetje mbi efikasitetin e USAID-it në rajon. Për këtë arsye, edhe nëse administrata Trump nuk arrin ta mbyllë këtë agjenci, ajo mund të insistojë në një ristrukturim të saj, duke imponuar masa më të rrepta kontrolli dhe monitorimi të fondeve.
Vendimi i gjykatës federale riafirmon pra rolin e Kongresit si autoriteti suprem mbi administrimin e fondeve federale, duke vendosur një precedent të rëndësishëm për balancën e pushteteve në SHBA. Megjithatë, kjo nuk e ndalon administratën Trump nga përpjekjet për të zvogëluar ndikimin e USAID-it dhe për të ndryshuar mënyrën se si ndihma amerikane shpërndahet në botë.
Për Shqipërinë dhe Kosovën, ky rast është një paralajmërim i qartë se mbështetja e SHBA-së nuk është e garantuar dhe se një varësi e tepruar nga ndihmat ndërkombëtare mund të jetë një rrezik afatgjatë. Në një klimë gjeopolitike gjithnjë e më të pasigurt, këto vende duhet të përgatisin strategji alternative financimi dhe të kërkojnë diversifikim të burimeve të tyre ekonomike për të siguruar stabilitetin dhe zhvillimin e tyre afatgjatë.
© 2025 Argumentum