Pentagoni planifikon të informojë sot Elon Musk mbi planet top-sekret të ushtrisë amerikane për luftëra të mundshme me Kinën, raporton ”New York Times”, duke cituar dy zyrtarë amerikanë.
Një zyrtar tjetër tha se konferenca do të fokusohej për Kinën, pa dhënë detaje të mëtejshme, ndërsa një zyrtar i katërt tha vetëm se Musk do të ishte në Pentagon sot.
Vizita u konfirmua nga një zëdhënës i Mbrojtjes.
Për NYT, aksesi i Musk në disa nga sekretet më të ruajtura të ushtrisë shënon një zgjerim të rolit të tij si këshilltar i Trump dhe ngre pyetje në lidhje me konfliktet e interesit.
”Konfliktet e mundshme të interesit lidhen me faktin se Musk është kontraktor i Pentagonit dhe ka interesa të mëdha në Kinë”, shton NYT.
Konferenca top-sekret për planin e luftës kundër Pekinit përmban rreth 20-30 të ashtuquajtura ”slide”, që shpjegojnë se si Shtetet e Bashkuara do të luftonin një konflikt të tillë dhe varion nga paralajmërimi për një kërcënim nga Kina deri te opsionet e ndryshme se cilat objektiva kineze të godasin, në çfarë harku kohor, të gjitha opsionet që do t’i paraqiteshin Trumpit për vendime.
”Është e paqartë cila ishte shtysa për t’i ofruar Musk një informim kaq të ndjeshëm: ai nuk është pjesë e zinxhirit ushtarak të komandës dhe as nuk është këshilltar zyrtar i komandantit të përgjithshëm për çështjet ushtarake që përfshijnë Kinën”, thekson NYT.
”Por, ka një arsye të mundshme se pse Musk mund të ketë nevojë të dijë aspekte të planit të luftës. Nëse ai dhe ekipi i tij DOGE duan të shkurtojnë buxhetin e Pentagonit me përgjegjësi, ata mund të kenë nevojë të dinë se çfarë sistemesh armësh planifikon të përdorë Departamenti i Mbrojtjes në një konflikt me Kinën”, shton NYT./ATA