Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka premtuar mbështetjen e saj për transmetuesin e huaj të financuar nga SHBA, Radio Evropa e Lirë/Radio Liberty (RFE/RL), që po përballet me mbyllje për shkak të shkurtimeve drastike të financimit nga qeveria amerikane.
“Radio Evropa e Lirë ofron raportime të pavarura për shumë vende ku liria e medias është e kërcënuar”, shkroi sot Von der Leyen në një postim në X.
Ajo tha se donte të punonte me partnerë si Gjermania, Republika Çeke dhe Suedia për të mbështetur “gazetarinë fituese të çmimeve” të transmetuesit, pa thënë se çfarë forme do të kishte kjo mbështetje.
Presidenti i SHBA, Donald Trump urdhëroi shkurtime të konsiderueshme buxhetore në Agjencinë Amerikane për Media Globale (USAGM), e cila mbikëqyr të gjitha mediat e huaja të financuara nga qeveria amerikane që nuk janë nën kontrollin ushtarak.
Radio Evropa e Lirë më vonë njoftoi se USAGM kishte përfunduar zyrtarisht marrëveshjen e tyre ekzistuese të financimit.
Transmetuesi ka ngritur një padi kundër USAGM, duke argumentuar se mbajtja e fondeve në burim është e paligjshme sepse paratë janë ndarë shprehimisht nga Kongresi Amerikan.
Gjykata e qarkut të Uashingtonit që atëherë ka lëshuar një urdhër të përkohshëm që siguron funksionimin e vazhdueshëm të stacionit deri në marrjen e një vendimi përfundimtar, duke shmangur mbylljen e menjëhershme të transmetuesit, tha një zëdhënës i Radios Evropa e Lirë.
Vendimi pritet në javët në vijim.
Disa shtete evropiane, të udhëhequra nga Republika Çeke – shtëpia e qendrës së transmetimit të stacionit – po diskutojnë mënyrat për të ruajtur RFE/RL.