Mali i Zi është i vendosur të bëjë gjithçka që është e mundur për të qenë gati për anëtarësim në BE deri në vitin 2028, deklaroi sot presidenti malazez, Jakov Milatoviç gjatë takimit me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së Kaja Kallas, në kryeqytetin antik të vendit, Cetinjë.
”Ne jemi të vetëdijshëm se ky është një qëllim ambicioz, por besojmë se mund ta arrijmë atë, së bashku me partnerët tanë evropianë”, shtoi Milatoviç duke nënvizuar se ai vlerëson qëndrimin e Bashkimit Evropian për respektimin e rreptë të qasjes së bazuar në merita.
“Si një vend që është më i avancuari në rrugën e anëtarësimit, jemi shumë të motivuar dhe krenarë të presim samitin e Komunitetit Politik Evropian në pranverën e vitit të ardhshëm”, vuri në dukje presidenti malazez, sipas të cilit samiti do të përkojë me 20-vjetorin, në maj 2026, të shpalljes së pavarësisë së Malit të Zi, i cili u nda nga Serbia me një referendum paqësor.
Me Kallasin, përveç perspektivave të integrimit evropian, Milatoviç ka folur edhe për situatën në rajon, ku kriza politike dhe institucionale në Bosnjë-Hercegovinë përbën një shqetësim në rritje.
Paraprakisht, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së kishte takuar kryeministrin malazez, Milojko Spajiç në Podgoricë.
Mali i Zi ka hapur të 33 kapitujt e negociatave me BE-në duke mbyllur tre deri tani.