Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nisi zyrtarisht sot procesin e përgatitjes së dokumentacionit zgjedhor për votuesit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit dhe që do të ushtrojnë të drejtën e votës në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë më 11 maj 2025.
Procesi po zhvillohet në ambientet e Parkut Olimpik “Feti Borova” në Tiranë dhe përfshin disa faza të rëndësishme logjistike dhe teknike.
Në fazën e parë, po kryhet vulosja e fletëve të votimit sipas qarqeve zgjedhore dhe vendosja e tyre në zarfin “A”, që përmban vetëm fletën e votimit. Më tej, këto zarfe do të vendosen në zarfat e jashtëm të KQZ dhe në zarfin përfundimtar të operatorit të shërbimit postar që do t’i shpërndajë ato jashtë Shqipërisë.
Sipas KQZ “i gjithë procesi zhvillohet në përputhje me vendimet e Komisionit Rregullator dhe Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, dhe është plotësisht transparent.
“Procesi po monitorohet nga: Përfaqësues të subjekteve zgjedhore; Vëzhgues ndërkombëtarë dhe vendas; Përfaqësues të mediave
“Gjithashtu, procesi transmetohet në kohë reale në kanalin zyrtar “YouTube” të KQZ”.
Hapat kryesorë të përgatitjes: Vulosja dhe paketimi i fletëve të votimit në zarfat përkatës; Vendosja e zarfeve në paketimin e jashtëm të KQZ; Kontrolli përfundimtar i dokumentacionit zgjedhor; Dorëzimi i dokumentacionit te operatori postar për dërgim jashtë vendit
“Ky është një hap shumë i rëndësishëm për garantimin e pjesëmarrjes së bashkëqytetarëve tanë që jetojnë jashtë kufijve në procesin demokratik të vendit”, njoftoi KQZ.