Ndërsa presioni ekonomik dhe politik po bëhej i padurueshëm, presidenti amerikan vendosi të ndryshonte kursin – por a është bërë dëmi?, shkruan “The Guardian”.
“Politikat e mia nuk do të ndryshojnë kurrë”, u zotua presidenti i SHBA-së Donald Trump. “Ndonjëherë duhet të marrësh ilaçe për t’u shëruar”, këmbënguli ai.
“Unë e di se çfarë po bëj”, u mburr presidenti amerikan. Dhe në orën 9:33 të mëngjesit të së mërkurës, ai tha: “Qetesohuni. Gjithçka do të shkojë mirë”.
Por, më pak se katër orë më vonë, ndërsa presioni ekonomik dhe politik u bë i padurueshëm, presidenti amerikan njoftoi në media sociale se do të pezullonte për 90 ditë tarifat e larta tregtare për shumicën e vendeve, duke përjashtuar Kinën.
Ishte një rënie dramatike – nga një lider i cili ka shpenzuar vite duke kultivuar imazhin e një njeriu të fortë – në gjendje për të projektuar indiferencën përmes çdo stuhie.
Ndihmësit e Shtëpisë së Bardhë reaguan menjëherë – duke u përpjekur ta kthenin “tërheqjen e tij” si një akt mjeshtëror i tregtarit të pakrahasueshëm dhe i shahistit brilant.
Megjithatë, dëmi ishte bërë. Dëmtimi i pozitës së Amerikës si një ndërmjetës i ndershëm dhe aleat i besueshëm. Dëmtimi i dollarit amerikan dhe sistemit financiar si spiranca botërore e stabilitetit financiar. Dhe dëmtimi i reputacionit të Trump për çështjen e tarifave, në sytë e liderëve të biznesit, republikanëve dhe votuesve.
“Ka indikacione të qarta se presidenca e Donald Trump është e rrezikuar”, tha Larry Jacobs nga Universiteti i Minesotës.
“Është e qartë se është shumë herët për të folur për një presidencë të dështuar, por për mua ka indikacione të qarta se presidenca e Donald Trump është e rrezikuar”, tha Larry Jacobs, drejtor i Qendrës për Studimin e Politikës dhe Qeverisjes në Universitetin e Minesotës.
Dy javët e fundit kanë dëshmuar periudhën më të paqëndrueshme për tregjet financiare që nga bllokimet e pandemisë së koronavirusit pesë vjet më parë.
Këtë herë, megjithatë, shkaku nuk është një virus ngjitës, por vendimet e një njeriu.
Më 2 prill, duke qëndruar në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë, Trump njoftoi tarifa gjithëpërfshirëse “reciproke” për dhjetëra vende, duke e faturuar atë si një “deklaratë të pavarësisë ekonomike” – në një “ditë çlirimi” që do të rivendoste “epokën e artë” të Amerikës.
“Pas shumë dekadash është radha jonë për të patur prosperitet”, tha Trump.
Tarifat u llogaritën në bazë të deficitit tregtar të një vendi me SHBA-në – pjesëtuar me vlerën e mallrave të importuara nga ai vend.
Formula u kritikua menjëherë për pasaktësi dhe absurditete, të tilla si caktimi i tarifave për ishujt Heard dhe McDonald, të cilët banohen tërësisht nga pinguinë.
Megjithatë, sipas Trump, tarifat e njoftuara prej kohësh – ishin një masë e nevojshme për të rivendosur prodhimin amerikan dhe për të adresuar çekuilibrat tregtarë.
Trump efektivisht mori “peng” ekonominë botërore. Pasojat ishin të menjëhershme dhe të përhapura, duke përfshirë paqëndrueshmërinë e tregut, dënimin e fortë ndërkombëtar, masat hakmarrëse nga Kina dhe pasigurinë e thellë për bizneset dhe konsumatorët.
Larry Summers, një ish-sekretar i Thesarit, e përshkroi atë si “plagën më të madhe të vetëshkaktuar të ekonomisë sonë në histori”.
Disa shefa ekzekutivë që kishin mbështetur Trump në zgjedhjet e vitit të kaluar – shprehën pendesën e tyre. Gjigantët e teknologjisë si “Apple” përjetuan rënie të çmimeve të aksioneve – analistët parashikuan një rritje të mundshme të çmimeve për iPhone deri në 43%.
Në Shtëpinë e Bardhë, këshilltarët më të afërt të Trump u tronditën. Elon Musk, njeriu më i pasur në botë, u përfshi në një grindje publike dhe fyese me këshilltarin tregtar të Trump, Peter Navarro – lidhur me ndikimin e tarifave në prodhuesin e mjeteve elektrike “Tesla”, duke e quajtur Navaro një “të marrë”.
Trump këmbënguli se ai kishte të drejtë dhe se opinioni i elitës ishte i gabuar.
Ndërsa luante me golfit Në fundjavë, edhe pse tregjet u rrëzuan – sekretari i thesarit, Scott Bessent – shkoi në pronën e Trump, në Mar-a-Lago në Florida, për të kërkuar një strategji që mund të përfshinte përmirësimin e marrëveshjeve tregtare me vendet e huaja.
Presioni në rritje nga republikanët, liderët e biznesit dhe tregjet financiare ngjalli frikën e një recesioni që mund të shndërrohej edhe në një depresion.
Më në fund, Trump u dorëzua dhe, të mërkurën, njoftoi një pauzë 90-ditore për shumicën e vendeve, ndërsa i ftoi ata të negociojnë marrëveshjet dypalëshe tregtare.
Pas një rritjeje fillestare, tregjet u ranë sërish. Ndërsa pauza ka ofruar një pezullim të përkohshëm, tarifa totale prej 10% për pothuajse të gjitha importet amerikane – mbetet në fuqi.
Karoline Leavitt, sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë tha të premten se më shumë se 75 vende kishin kontaktuar administratën Trump – me synimin për të adresuar çështjet tregtare.