Fundjavën e kaluar Beogradi ishte epiqendra e demonstrimit të pushtetit të regjimit të Vuçiqit. Ai shpalli të përfunduar “revolucionit me ngjyra”. Por studentët vazhdojnë protestat.
Një varg flamujsh serbë, një varg me ushqime, këngë patriotike dhe slogane për “mbrojtjen e shtetit” – Beogradi ishte skena e një spektakli të madh politik të drejtuar nga Partia Përparimtare Serbe gjatë fundjavës.
Në një “Asamble Gjithëserbe” treditore, presidenti serb Aleksandar Vuçiq shpalli “fundin e revolucionit me ngjyrë” dhe promovoi “Lëvizjen e re për Popullin dhe Shtetin”.
“Ne nuk do t’i lëmë ata të përmbysin shtetin tonë. Dhe më lejoni t’ju them se revolucioni i tyre me ngjyra ka mbaruar. Ata mund të shetisin sa të duan, nuk ka asgjë”, tha Vuçiq.
Sipas vlerësimeve të Arkivit të Tubimeve Publike, në tubim morën pjesë të paktën 55.000 qytetarë. Disa mbërritën me autobusë të organizuar, të tjerë në këmbë – duke imituar studentët që kanë shetitur nëpër Serbi në shenjë proteste prej muajsh.
Pesë kërkesa për veten
Fjalimi i presidentit Vuçiq të shtunën në mbrëmje u transmetua drejtpërdrejt nga pothuajse të gjitha televizionet më të rëndësishme në vend në kohën kryesore. Ai ka paraqitur pesë kërkesa që synojnë “vendosjen e rendit”.
“Kërkojmë nga organet dhe institucionet kompetente të Republikës së Serbisë, e mbi të gjitha nga prokuroritë kompetente, që të nisin procedurat e duhura në kuadër të kompetencave të tyre kushtetuese dhe ligjore dhe të ndërmarrin të gjitha masat e tjera të përcaktuara me ligj, për të vendosur qetësinë dhe rendin në vend”, ka theksuar Vuçiq.
Kjo është një lloj thirrje për dhunë shtetërore dhe për shtypje të protestuesve, thotë gazetari Nedim Sejdinoviq për DW. “Kërkesat e tij tregojnë një pamje krejtësisht të përmbysur të realitetit, në të cilën ata që propagandojnë dhe kryejnë dhunë e paraqesin veten si viktima, dhe ata që janë viktima e paraqesin veten si autorë. Por kjo, natyrisht, nuk është asgjë e re në këtë retorikë neoradikale”, shton Sejdinoviq.
Ngjashëm mendon edhe profesore e jurispundencës në pension Vesna Rakiq-Vodineliq. Ajo tregon për DW se kërkesa për kthimin e institucioneve të rrëmbyera vjen pikërisht nga njeriu që i ka rrëmbyer.
“Ai nuk e respekton ndarjen e pushteteve dhe cënon kompetencat e autoriteteve të tjera shtetërore, në radhë të parë të gjyqësorit, dhe nuk ka fare bazë kushtetuese për ta kërkuar këtë prej tyre”, shpjegon Rakiq-Vodineliq.
Tani pyetja e më e madhe është se si do të reagojë prokuroria ndaj kërkesave të Vuçiqit, por edhe policia, e cila ka autoritet të ndalojë tubimet publike. “Kërkesa e Vuçiqit për normalizimin e jetës së përditshme mund t’i referohet bllokadave që studentët dhe qytetarët bëjnë çdo ditë. Pyetja tani është nëse dikush do të përpiqet t’i prishë ato bllokada,” shton ajo.
Konsolidimi dhe dhuna
Ndërsa përpiqet të konsolidojë radhët e veta, regjimi po shton presionin si ndaj studentëve ashtu edhe ndaj protestuesve që kanë dalë në rrugë prej gati gjysmë viti.
Lajmet për sulme fizike, arrestime, akuza disiplinore dhe penale kundër protestuesve dhe kritikëve të Vuçiqit vijnë pothuajse çdo ditë. Gjashtë studentë dhe aktivistë të Novi Sadit janë në paraburgim për një muaj. Ndërsa gjashtë janë në ekzil politik për gjoja “përgatitjen e akteve kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Serbisë”.
Sejdinoviq beson se e gjitha kjo është pjesë e “kundërrevolucionit” të cilin e shpalli vetë presidenti. “Natyrisht, qëllimi është të frikësohen dhe të heshtin qytetarët, sepse vlerësimi është se energjia e protestave është konsumuar disi dhe se tani është koha për një kundërsulm. Megjithatë, besoj thellë se ajo që po bën qeveria e udhëhequr nga Vuçiqi është absolutisht kundërproduktive për ta, sepse ekspozon më tej regjimin represiv.”
Rezistenca vazhdon
Por rezistenca civile dhe studentore nuk po shuhet. Grupe studentësh dhe qytetarësh nga disa vende anembanë Serbisë u përpoqën të pengonin autobusët me mbështetës të SNS-së që të arrinin në tubimin në Beograd, por policia theu bllokadat.
Në Novi Pazar, rreth 300 kilometra në jug të Beogradit, një protestë e madhe studentore u mbajt paralelisht me tubimin e SNS, ku mijëra njerëz përsëri demonstruan kundër qeverisë.
“Kjo shoqëri thjesht po rrënohet – ose do të shkojmë në drejtimin e Erdoganit, që do të thotë rritje e represionit, arrestimin e shumë kritikëve të regjimit dhe njerëzve që ikin nga vendi nga frika e një lloj hakmarrjeje, ose protestat do të vazhdojnë të ushtrojnë presion dhe të çojnë në atë që është i vetmi rezultat i mirë apo logjik – ndryshimi i qeverisë”, beson Sejdinoviq.
Me kërkesë për një rezolutë, një grup studentësh prej dhjetë ditësh po udhëtojnë me biçikleta për në Strasburg, ku në mënyrë simbolike do t’u dorëzojnë një letër parlamentarëve evropianë për gjendjen e shtetit ligjor në Serbi. Pjesëtarët e diasporës po i mirëpresin ata në çdo hap – me lot dhe brohoritje.
Nga ana tjetër, Vuçiqi po përgatit një qeveri të re të kryesuar nga mjeku Gjuro Macut, i cili nuk ka pothuajse asnjë përvojë politike. Disa analistë e vlerësuan këtë veprim si një lëshim indirekt ndaj protuestuesve, të cilët po kërkojnë gjithnjë e më shumë një qeveri ekspertësh. Të tjerë, megjithatë, besojnë se kjo është një manovër politike e Aleksandar Vuçiqit, i cili dëshiron t’i shmangë zgjedhjet me çdo kusht për shkak të rënies së vlerësimit të tij.
“Mendoj se ai vetë është i vetëdijshëm se nuk mund të llogarisë as në polici, as në gjyqësor në rast të ndonjë represioni më të fortë, sepse është e qartë se edhe në këto institucione ka njerëz që refuzojnë të binden dhe refuzojnë të shkelin ligjin me urdhër të tij”, thotë Sejdinoviq.
Por rezultati përfundimtar ende nuk është në dukje. Si mbështetësit e qeverisë ashtu edhe ata të opozitës presin që pala tjetër – e para të bëjë ndonjë gabim./DW