Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) reagoi sot në lidhje me incidentin që ndodhi një ditë më parë në aksin Fier-Patos ku u sulmuan gjatë detyrës hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe oficerë të Policisë së Shtetit.
“Byroja Kombëtare e Hetimit konfirmon sulmin që ndodhi mbrëmjen e datës 15 prill kundër hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe oficerëve të Policisë së Shtetit në qarkun e Fierit. Hetuesit e BKH-së dhe efektivët e Policisë së Shtetit po kryenin detyra hetimore të deleguara, në kuadër të një hetimi të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, njoftoi BKH.
Në lidhje me incidentin janë identifikuar dhe shoqëruar në policinë e Fierit disa persona.
Sipas BKH “mbështetur në informacionin e përcjellë nga Drejtoria Vendore e Policisë, Fier (DVP) dhe verifikimet e kryera, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:20 minuta, në aksin Fier – Patos. Ndërsa hetuesit e BKH-së dhe oficerët e Policisë së Shtetit po kryenin detyrën, janë sulmuar pa asnjë motiv nga persona tashmë të identifikuar dhe shoqëruar në DVP, Fier”.
Sipas BKH “të gjitha veprimet hetimore dhe proceduriale lidhur me ngjarjen janë duke u kryer nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier”.
Në njoftim thuhet se SPAK nënvizon se të gjitha veprimet e ndërmarra nga BKH janë në përputhje me ligjin dhe nën vëzhgimin direkt të prokurorëve të posaçëm.
“SPAK u bën thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me institucionet e drejtësisë dhe të respektojnë autoritetin e hetuesve dhe Policisë së Shtetit që veprojnë në zbatim të detyrës së tyre. Integriteti dhe siguria e hetuesve të BKH-së dhe efektivëve të Policisë së Shtetit është thelbësore në angazhimin tonë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, njoftoi BKH.