Presidenti i SHBA-së, Donald Trump shprehu besimin “100%” për arritjen e një marrëveshjeje tregtare – në mosmarrëveshjen e vazhdueshme të tarifave me Bashkimin Evropian – gjatë takimit me kryeministren italiane, Giorgia Meloni sot, në Shtëpinë e Bardhë.
“Do të ketë një marrëveshje tregtare, 100%”, tha Trump duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari – se çfarë do të ndodhte nëse nuk do të kishte një marrëveshje në fund të pauzës 90-ditore që ai kishte vendosur.
“Po, ju mendoni se nuk do të ketë… sigurisht që do të ketë një marrëveshje tregtare”, theksoi presidenti amerikan.
“Shumë duan të arrihet një marrëveshje. Dhe ne do të bëjmë një marrëveshje tregtare. Unë e pres plotësisht, por do të jetë një marrëveshje e drejtë”, tha Trump.
I pyetur se cilat vende ishin në listën e tij prioritare, Trump tha se të gjithë ishin të përfshirë në listën e tij prioritare.
Kjo siguri demonstrative është një model i njohur i Trump – pasi ai shpesh bën deklarata të qarta si këto, me gjasa që të ushtrojë presion mbi partnerët negociues.
Javën e kaluar, pas turbullirave të konsiderueshme në tregjet e aksioneve dhe financiare, Trump papritur vendosi t’u japë shumë vendeve dhe BE-së një pauzë 90-ditore nga tarifat e caktuara.
Këto tarifa janë ndëshkuese dhe bazohen në deficitin tregtar të vendeve përkatëse, me përjashtim të Kinës.
Me këtë vendim, Trump vendosi përkohësisht në pritje një pjesë të paketës së tij të gjerë tarifore.
BE njoftoi, gjithashtu pezullimin e tarifave të planifikuara hakmarrëse për produktet amerikane për 90 ditë.
Trump shprehu vlerësimin e tij për kryeministren italiane, Meloni.
“Më pëlqen shumë ajo. Unë mendoj se ajo është një kryeministre e madhe. Mendoj se ajo po bën një punë fantastike në Itali. Dhe ne jemi shumë krenarë për të”, tha Trump.
Ashtu si shumë kryeministra të tjerë evropianë, Meloni ka kritikuar njoftimin e Trump për tarifat e reja ndëshkuese.