Presidentja Vjosa Osmani ka dekoruar me medaljen “Nderi i Republikës” të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfie Krasniqi-Goodman, Shyhrete Tahiri-Sylejmani dhe Ramadan Nishori.
Osmani tha se sot e përgjithmonë këta tre emra do të mbeten të gdhendur në ndërgjegjen kolektive të popullit tonë.
Ajo theksoi se të mbijetuarit e dhunës me dhimbjen e tyre e kanë ndriçuar rrugën drejt së vërtetës, drejtësisë dhe shpresës.
Në këtë ceremoni, Osmani tha se ka momente që nuk mjaftojnë për të shprehur mirënjohje.
“Ju jeni zëri i së vërtetës që pret drejtësi me dekada. Ju ngritët zërin e mijëra të mbijetuarve të krimit të llahtarshëm gjatë luftës”, tha Osmani derisa iu drejtua të mbijetuarve të dhunës seksuale.
Osmani tha se nuk mund të ndërtohet paqe e qëndrueshme pa pasur drejtësi për ata që kanë përjetuar dhunën më çnjerëzore.
Pas pranimit të dekoratës, i mbijetuari i dhunës Ramadan Nishori falënderoi të gjithë ata që e përkrahën që nga dita kur ai vendosi që publikisht të ndante rrëfimin e tij.
Ndërsa Vasfie Krasniqi-Goodman iu bëri thirrje të gjithë atyre që kanë përjetuar dhunë seksuale në atë kohe të kërkojnë drejtësinë.
“Ju lus që kudo që jeni, ka ardhur koha të kërkoni drejtësinë, lirojeni shpirtin, të mos ia falni Serbisë krimin që e kanë kryer”, tha Krasniqi-Goodman.
Shyhrete Tahiri-Sylaj falënderoi të gjithë për përkrahjen e dhënë ndaj tyre. /KosovaPress/