Faleminderit, Papa i shenjtë,
që zgjodhe Shqipërinë si vendin e parë që do të bekoje me vizitën tënde pas emërimit si Papë. Erdhe dhe dëshmove dashurinë e këtij populli të vuajtur, i cili, edhe në kohët më të errëta, nuk e harroi kurrë dashurinë për Zotin. Erdhe, i bekove dhe u lute për dhjetëra martirë që dhanë jetën në emër të Tij. Erdhe dhe preke me zemër harmoninë tonë fetare – atë që ti vetë e quajte “vëllazëri fetare”.
Faleminderit, Papa ynë, që shkele mbi këtë tokë të varfër, por të pasur në shpirt dhe bujari. Kjo vizitë u bë gjithashtu simbol i rrugëtimit tënd përkrah të varfërve, të harruarve, të pamundurve. Ishe zëri i atyre që nuk kishin zë.
Faleminderit, Papa Françesku, që nuk u nënshtrove para shteteve të mëdha dhe që denove me zë të vrasjen e mijëra fëmijëve në Gaza. Ishe i vetmi që e quajte këtë luftë një genocid… Nuk ndale kurrë së luturi për ta – madje edhe të dielën e Pashkëve, pak orë para se të shkoje pranë Zotit.
Faleminderit që dënuat çdo luftë dhe çdo formë padrejtësie. Mbi të gjitha, faleminderit që ngritët zërin kundër thirrjeve për armatim — madje edhe në mesazhin tuaj të fundit Urbi et Orbi, ku theksuat sërish: jo garës së armatimeve, jo më jehonës së vdekjes. Ju thirrët për paqe, për dialog, për bashkëjetesë.
Faleminderit që edhe me largimin tuaj nga kjo jetë arritët të bashkoni mbarë botën — nga Lindja në Perëndim, nga Europa në Amerikë, e deri në Azi. Tani mund të preheni i qetë pranë Atit, në paqe dhe dritë të përjetshme. Misioni juaj në tokë u përmbush!
Faleminderit që ishe mes nesh. Do të mbetesh gjithmonë, bariu ynë i mirë.
Faleminderit që ishe Papa i popullit!
Redaksionale
© 2025 Argumentum