Sistemi bankar në Shqipëri ishte më fitimprurësi në Europën Juglindore, duke përfituar më shumë të ardhura neto nga interesi në raport me aktivet e tij, sipas raportit të fundit për 100 bankat më të mëdha në rajon, të publikuar nga See News, një njësi e inteligjencës për Europën Juglindore me zyra qendrore në Bullgari. Treguesi i marzhit neto të interesave që mat raportin mes të ardhurave neto nga interesat dhe aseteve, ishte 7.6% për Shqipërinë, duke qenë mbi dyfishin e mesatares prej 3.4% të Europës Juglindore.
Pesë banka që veprojnë në Shqipëri u renditën ndër 100 më të mëdhatë sipas aktiveve në Europën Juglindore, në renditjen e 100 bankave më të mëdha në Europën Juglindore.
Banka Kombëtare Tregtare renditet në vendin e 33, nga i 27 që ishte vitin e kaluar, me një total asetesh prej 3.5 miliardë eurosh dhe fitime prej 60.2 milionë eurosh.
Raiffeisen Bank është e 42-a në Europën Juglindore, sipas madhësisë, me një total asetesh prej 1.8 miliardë eurosh dhe fitimesh prej 51.3 milionë euro në vitin 2018. Raiffeisen renditet e gjashta ndër 10 bankat me kthyeshmërinë më të lartë nga kapitali (ROE) në Europën Juglindore, me treguesin ROE prej 22.7% dhe e dhjeta për kthyeshmërinë nga aktivet (ROA), prej 2.81%.
Nga bankat që operojnë në Shqipëri, listën e vijon Credins (në vend të 47), me asete 1.6 miliardë euro dhe fitime prej 9.7 milionë eurosh.
Intesa Sanpaolo Bank Albania Sh.a. ishte në vend të 55, me me asete 1.4 miliardë euro dhe fitime prej 6.8 milionë eurosh.
Renditjen e vijojnë Alpha Bank (89), Banka Amerikane e Shqipërisë (90) dhe Tirana bank (91).
Penetrimi i huasë bankare, i matur si raport i huave bankare dhënë në sektorin privat në raport me prodhimin e brendshëm bruto, është më i ulëti në rajon në Shqipëri, me 33% të PBB-së.
Ndërsa huatë me probleme janë më të lartat në Shqipëri, mbi 10% të totalit, të ndjekura nga Bosnja me 9% dhe midis 5 dhe 7% në Maqedoninë e Veriut, Serbinë e Malin e Zi.
Nga vendet e marra në konsideratë, Shqipëria shënoi dhe rritjen më të ulët neto të kredisë për ekonominë, me vetëm 2%, ndërsa në Serbi, zgjerimi ishte mbi 12%.
Raporti thekson se në 2018-n, sistemi bankar shqiptar vijoi të karakterizohej nga nivele të larta likuiditeti dhe mjaftueshmërie të kapitalit, ndërsa bilancet e bankave vijuan të përmirësohen. Por, raporti shton se në 2019-n, sektori bankar shqiptar përballet me sfida si niveli ende i lartë i kredive me probleme, që mund të përkeqësojë më tej përfitueshmërinë e bankave dhe rritjen e aseteve si dhe ngadalësimi i ekonomisë së eurozonës në përgjithësi dhe shqetësimet financiare të Italisë në veçanti.
Sektori bankar në rajon në konsolidim
Sektori bankar në rajon ka vijuar konsolidimin në 2018-n. Pjesa më e madhe e marrëveshjeve lidhen me largimin nga rajoni të bankave greke dhe grupit bankar Societe Generale. Në kahun tjetër, blerësi kryesor ishte hungarezja OTP. Bankat e tjera të mëdha të pranishme në rajon mbeten italiania Uni-Credit dhe austriaket Erste dhe Raiffeisen.
Në 2018-n, Societe Generale ra dakord që të shesë katër nga njësitë e saj në rajon – në Shqipëri, Bullgari, Mal të Zi dhe Serbi tek OTP.
Banka e Pireut ishte ndër lojtarët më aktivë n
ë rajon, duke shitur degët në Shqipëri, Bullgari dhe Rumani (Në Shqipëri në gusht 2018 ra dakord për shitjen e 98.83% të aksioneve te Komercijalna Banka e Maqedonisë dhe grupit shqiptar të investimeve Balfin për një shumë totale prej 57.3 milionë euro).
Në korrik 2018, banka Kombëtare e Greqisë përfundoi shitjen e degës së saj në Shqipëri, NBG Albania, te Banka Amerikane e Investimeve (ABI), një njësi e Tranzit në Shqipëri. Menjëherë më pas, Banka Amerikane e Shqipërisë mori miratimin e bankës së Shqipërisë për të përthithur NBG Albania.
Përveç bankave greke, Societe Generale dhe OTP Group, një tjetër lojtar kryesor në tregun e shit-blerjeve në Europën Juglindore ishte grupi bankar italian Intesa Sanpaolo. Në korrik 2017, Intesa Sanpaolo shiti njësinë e saj në Kroaci – Veneto Banka, tek huadhënësja kroate Privredna Banka Zagreb. Më pas, grupi bankar italian, nëpërmjet njësisë së saj Intesa Sanpaolo Bank Albania, përfundoi përthithjen e filialit shqiptar të huamarrësit italian të vjetër Veneto Banca.
Tregu i shit-blerjeve në rajon duket se do të mbetet i nxehtë në 2019, teksa grupi OTP vazhdon të forcojë pozitat, ndërsa disa aktorë të tjerë të mëdhenj po skanojnë skenën për blerje të reja, thuhet në raport.