Nuk ka të ndalur rënia e euros. Monedha evropiane ka zbritur në nivelin e 121.6 lekëve, vlera më e ulët në 11 vitet e fundit. Një tendencë që vijon tashmë prej muajsh dhe që ka humbësit dhe përfituesit e saj.
Pasojat i vuajnë 220 mijë familje që marrin dërgesa nga emigrantët, eksportuesit që të gjithë aktivitetin e kryejnë në euro dhe ata që kanë të ardhura të tjera në këtë monedhë. Ndërkohë që me fitim dalin kredimarrësit në euro, pasi do të paguajnë më pak për këstet mujore, importuesit dhe tregtarët, si dhe qeveria.
Ekspertët vlerësojnë se rënia vjen si pasojë e ofertës së tepërt në treg, pra ka shumë euro në qarkullim që vjen nga burimet informale, dërgesat në rritje të emigrantëve dhe të ardhurave nga turizmi.
Me afrimin e muajve me fluksin më të lartë të vizitorëve, Korrikun e Gushtin, agjentët e këmbimit valutor presin një zhvlerësim të mëtejshëm të monedhës evropiane, që këtë verë është e destinuar të thyejë rekorde të tjera në rënie.