Ka reaguar prezenca e OSBE-së pas situatave tensionuese dhe konfliktuale që janë krijuar në disa bashki të vendit sa u përket lirimit të ambienteve që shërbejnë si KZAZ.
Në njoftim theksohet se OSBE i dënon me forcë sulmet e dhunshme kundër organeve përgjegjëse pasi kjo pengon përparimin e vendit dhe njollos reputacionin e tij ndërkombëtar.
“Gjithashtu, u bëjmë thirrje organizuesve të protestës së të premtes të sigurojnë një protestë paqësore. Në përputhje me mandatin e saj, Prezenca e OSBE-së mbetet e gatshme të mbështetë shtetin ligjor dhe demokracinë në Shqipëri”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Reagimi i plotë
Prezenca e OSBE-së i dënon me forcë sulmet e dhunshme të këtyre ditëve kundër organeve përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve, në disa bashki në Shqipëri. Të gjitha proceset politike dhe administrative duhet të zhvillohen në përputhje me parimet e shtetit ligjor.
Çdo përpjekje për të nxjerrë nga shinat procesin demokratik, përmes veprimeve të dhunshme, përbën shkelje të ligjit, pengon përparimin e vendit dhe njollos reputacionin e tij ndërkombëtar. Jo vetëm autorët e dhunës, por edhe nxitësit e saj, duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore. Ne bëjmë thirrje që autoritetet shtetërore të ndërmarrin të gjitha masat, sipas legjislacionit në fuqi, për të hetuar dhe ndjekur penalisht përgjegjësit e dhunës.
Gjithashtu, u bëjmë thirrje organizuesve të protestës së të premtes të sigurojnë një protestë paqësore. Në përputhje me mandatin e saj, Prezenca e OSBE-së mbetet e gatshme të mbështetë shtetin ligjor dhe demokracinë në Shqipëri.