Çfarë strategjie po ndjek Donald Trump në Lindjen e Afërt dhe të Mesme? Me agresivitetin e tij ai saboton edhe planet e tij të paqes, thotë Peter Philipp.
Pas rrëzimit të një drone amerikane në mbrëmjen e së enjtes, Presidenti i SHBA, Donald Trump shkroi në Twitter mesazhin se Irani kishte kryer një “gabim shumë serioz”. Diçka tjetër, ai nuk kishte nevojë të thoshte: barometrat politikë të Lindjes së Mesme filluan të godasin me ashpërsi, njësoj si kurba e çmimit të naftës. Por askush nuk dukej i gatshëm të fliste për rrezikun e rritur të një lufte midis SHBA dhe Iranit. Aq më tepër kur të dyja palët po debatonin ende nëse avioni i zbulimit pa pilot kishte qenë në hapësirën ajrore iraniane apo jo.
Por Trumpi e pati seriozisht edhe pse mënyra e veprimit e tij, më pas solli më shumë mister se qartësi: vetëm pak orë pas rrëzimit të dronës, presidenti i SHBA nisi përgatitjet për një sulm ndaj Iranit: avionë amerikanë do të bombardonin radarë iranianë dhe vendndodhje raketash – të premten, gjoja për ta kufizuar numrin e viktimave civile në ditën myslimane të pushimit.
Kërcënim dhe në të njëjtën kohë kërkim ndërmjetësimi
Në të njëjtën kohë ai kërkoi nga Omani që të ndërhyjë për ndërmjetësim. Kështu Sulltanati i përcolli Iranit një paralajmërim amerikan se po afrohej një sulm, dhe përbetimin, se ai nuk ishte i interesuar për një konflikt të armatosur, por shumë më tepër për negociata me udhëheqjen iraniane. Një miratim nga Irani do të parandalonte sulmin e planifikuar ajror, nënkuptohej në mesazhin e dërguar nga Uashingtoni. Por në Teheran e ruajtën qetësinë dhe u përpoqën të fitonin kohë: u tha se “Lideri suprem” Ali Khamenei, i kishte refuzuar tashmë negociatat me Uashingtonin, por mesazhi atij do t’i përcillej.
Trumpi e futi veten në një situatë të vështirë: avionët luftarakë të SHBA ndodheshin tashmë në ajër në rajonin e Gjirit Persik dhe marina në Oqeanin Indian në alarm. Përveç kësaj, kërcënimi për një sulm amerikan ishte në kundërshtim të qartë me pretendimin e Trumpit se ai donte “vetëm negociata”. Vetë presidenti ndoshta nuk do ta kishte gjetur rrugëdalje, por ai duhet të ketë ndjerë se “këshilltarët” e zakonshëm si John Bolton dhe Mike Pompeo nuk e ndihmojnë vërtet. Këtë e bëjnë ama ata ushtarakë – të mbetur anonimë, të cilët thuhet, se kanë këmbëngulur te ai që në krizën e tanishme, të mos veprojë në mënyrën e tij të zakonshme: një konflikt ushtarak nuk mund ta aktivizosh me dekrete, në situata të tilla kërkohet një konsensus i gjerë politik. Por për miratimin e shumicës, – Trumpi duhet ta ketë ndjerë – ai ndërkohë nuk mund të jetë i sigurt as në radhët e tij.
Kjo duhet ta ketë shqetësuar atë më shumë, kur sapo njoftoi këtë javë zyrtarisht se është në dispozicion për rizgjedhje. Një konfrontim ushtarak me Iranin do të ishte e kundërta e asaj që kishte premtuar Trumpi para zgjedhjes: ai donte t’i sillte në shtëpi nga Lindja e Mesme trupat amerikane. Kurse tani ai i përforcon ato në atë zonë krizash dhe ndoshta i dërgon në një luftë me pasoja të paparashikueshme për të gjithë.
Peter Philipp
Ku mbeti “plani i shekullit”?
Edhe nëse punët nuk do të shkonin kaq larg, ka mbetur pak nga ajo që Trump e shpalli me të madhe për rajonin: për shembull, “plani i shekullit” i një paqeje mes Izraelit dhe palestinezëve. Ajo deri tani nuk është publikuar dhe ndoshta nuk do të publikohet kurrë, por deri tani dihet mjaft sa të shqetësojë palët kryesore: mbështetja e pakufizuar e Trumpit për Izraelin, sidomos distancimi nga zgjidhja me dy shtete, i largon palestinezët nga çdo iniciativë e SHBA: në një konferencë të planifikuar në Bahrein të martën e ardhshme ata as nuk do të shkojnë. Por as Izraeli nuk do të përfaqësohet zyrtarisht atje, dhe shtetet e tjera në rajon do të përfaqësohen në nivele të ulëta. Kjo vërtet nuk është një konferencë paqeje, por edhe normalizimi duket ndryshe. Aq më tepër një plan i shekullit./dw