Konfindustria shprehu sot shqetësimin për shtyrjen e rradhës të afatit kohor të miratimit të ligjit që ndalon pranimin e kontratave koncesionare, mbështetur mbi propozime të pakërkuara. Ky ligj pritej të miratohej gjatë muajit qershor.
Sipas Konfindustrisë, kjo është shkelja e dytë kohore rradhazi e premtimit të bërë Fondit Monetar Ndërkombëtar për ndërprerjen e kontratave koncesionare në infrastrukturën rrugore. Afati i parë ishte muaji shtator 2018.
Konfindustria ka kërkuar zyrtarisht që në projektligjin përkatës të ndalimit të propozime të pakërkuara duhet të përfshihen pa përjashtim të gjithë sektorët e ekonomisë dhe jo vetëm infrastruktura rrugore.
Sipas Konfindustrisë, mosrespektimi i afateve për miratimin e ligjit është shenjë e qartë e pranisë lobuese të fuqishme në kundërshtim me interesin publik në vendimarrjen politike shqiptare. Kjo prek drejtpërdrejtë dhe në afatgjatë edhe seriozitetin e shtetit shqiptar para institucioneve dhe tregjeve financiare ndërkombëtare.
Konfindustria vlerëson, se Shqipëria është e papërgatitur institucionalisht për mbrojtjen e interesit publik në afatgjatë në përdorimin e PPP dhe kontratat koncesionare në përgjithësi dhe të tipit “ pakërkuar” në veçanti.
Institucionet shtetërore janë të dobëta, duke krijuar kushte të përshtatshme për prani të zgjeruar të korrupsionit, çka kërcënon qëndrueshmërinë financiare afatgjatë të buxhetit të shtetit, konkurencën e lirë të bizneseve dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Detyrimet vjetore nga buxheti i shtetit për pagesën e PPP-ve kanë arritur në më shumë se 100 milionë euro në vit.
Vetëm në muajin qershor, janë miratuar në Kuvend kontrata koncesionare të “pakërkuara” me vlerë të përgjithshme mbi 300 milionë euro në projekte të infrastrukturës rrugore si rruga Milot-Balldren dhe Orikum-Llogara.