Banka Botërore ka analizuar ekonomitë e “iniciativës 1 rrip një rrugë” të Pekinit, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria.
Reporti i zgjeruar trajton aspekte të ndryshme të kësaj iniciative, që nga korridoret e transportit e deri te investimet dhe të bërit biznes. Sa i përket transportit drejt Kinës, mes vendeve të iniciativës, Shqipëria rezulton ndër vendet më të lira për të transportuar një konteiner, si drejt portit të Shangait ashtu edhe drejt atij të Roterdamit.
Kosto e transportit të një koteineri nga Shqipëria drejt një prej dy porteve më të mëdha të botës fiksohet në rreth 750 dollarë, me Roterdamin lehtë më të shtrenjtë se Shanghai. Për pjesën dërrmuese të vendeve të tjera që janë pjesë e iniciativës dhe që analizohen në këtë raport nga Banka Botërore, ky çmim është ndjeshëm më i lartë, siç tregohet edhe në grafik. Në rajonin e Europës juglindore, vetëm Mali i Zi dhe Greqia janë disi më të lira se vendi ynë në këtë drejtim.
Raporti i Bankës Botërore arrin në përfundimin se, nëse do të implementoheshin të gjitha projektet e transportit të “iniciativës 1 rrip një rrugë” në këto vende, atëherë, për vende të ndryshme përfitimi do të ishte i ndryshëm. Në rastin e Shqipërisë, kostot e transportit do të uleshin me 3-4%, thotë institucioni me bazë në Washington. Sa i përket investimeve të iniciativës, rezulton se,
Shqipëria është ajo me më pak të tilla në terma absolutë, por ndër ato me më shumë investime, në raport me PBB, si pasojë e ekonomisë mjaft të vogël. Në vendin tonë këto investime vlerësohen në rreth 4 miliardë dollarë, si dhe në rreth 30% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.