Tensionet me Kosovës dhe Serbisë kanë filluar të acarohen përsëri. Taksa e vendosur ndaj mallrave serbe nga ana e Kosovës ka bërë që drejtuesit e dy shteteve të paralajmërojnë masa dhe kundërmasa shtesë. Qeveria e Kosovës vitin e kaluar kishte marrë vendim që të vendos taksë prej 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës. Qeveria këtë vendim e kishte marrë si kundërpërgjigje ndaj Serbisë për shkak të propagandës së saj të vazhdueshme kundër Kosovës.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se kundërmasat për taksën 100% që ka vendosur Kosova do të nisin menjëherë pas festës së ‘Vidovdanit’, e cila mbahet me datën 28 të këtij muaji në Gazimestan.
Ai tha se do të realizohet një bisedë me përfaqësuesit e serbëve në Kosovë dhe do të vendosen se cilat masa të ndërmerren. Vuçiq tha se shpreson që të mos jenë të nevojshme kundërmasat, por që sipas tij serbët janë të detyruar për një gjë të tillë nëse nuk ka progres. Presidenti serb, Vuçiq deklaroi se marrëveshja për vendkalimet në Jarinje dhe Bërnjak të nënshkruara në 2011 duhet të respektohen ashtu siç ishin nënshkruar, edhe pse tha se është marrëveshja më e keqe e ndërmarrë ndonjëherë.
“Ne përpiqemi, kudo që të mundemi, të mos zbatojmë marrëveshjet katastrofike që qeveria e mëparshme ka arritur. Qeveria e kaluar nënshkroi një marrëveshje për njohjen e diplomave të cilat në anën tonë nuk kryejnë punë”.
Vuçiq tha po ashtu se është lajmi keq që nuk do të ketë takim në Paris, duke theksuar se Prishtina e kuptoi se Serbia po ngutet për progres ekonomik.
E presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në fjalën e tij hyrëse në konferencën “Zëri i Popullit rreth ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, që po mbahet sot në Prishtinë, ka thënë se përmbyllja e dialogut politik me Serbinë, me marrëveshjen ligjërisht obligative që nënkupton njohje reciproke, është interes nacional i Kosovës, prandaj është e domosdoshme që të jemi unikë në këtë proces.
“Ne duam që një herë e përgjithmonë ta qartësojmë raportin tonë si shtet me shtetin e Serbisë, gjë që mund të arrihet vetëm përmes një dialogu që do t’i ketë afatet kohore të qarta, objektivat precize, garancat dhe mbështetjen ndërkombëtare, në radhë të parë të SHBA-së dhe BE-së. Nuk kam kurrfarë dyshimi që nëse këtë vit nuk do ta bëjmë marrëveshjen ligjërisht detyruese në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të hyjmë në një zonë të rrezikshme të këtyre raporteve, që mund ta destabilizojë gjithë rajonin”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ai ka theksuar se fatkeqësisht situata dhe zhvillimet e fundit nuk janë aspak premtuese dhe gjërat nuk po lëvizin fare.
“Përkundër inciativave të fundit për ta zhbllokuar dialogun, rezultati është zero. Mungesa e dialogut dhe e perspektivës së arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë është rreziku më i madh i mundshëm për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës”.
Më 21 nëntor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që të vendos taksë prej 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës. Qeveria këtë vendim e kishte marrë si kundërpërgjigje ndaj Serbisë për shkak të propagandës së saj të vazhdueshme kundër Kosovës.
Kosova nga Serbia brenda një viti, së paku zyrtarisht, importon mallra në vlerë 400 milionë euro, por eksporton vetëm rreth 40 milionë euro për në serbi.
Që nga vendosja e taksës ndaj mallrave serbe është bllokuar edhe dialogu Kosovë-Serbi, pasi që pala serbe po e kushtëzon vazhdimin e dialogut me heqjen ose pezullimin e taksës mirëpo, qeveria e Kosovës po vazhdon të këmbëngulë se taksa do të hiqet vetëm kur Serbia e Bonja të njohin pavarësinë e Kosovës.
Shfuqizim apo pezullim të taksës ka kërkuar edhe Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë që të vazhdohet dialogu Kosovë-Serbi./Fatos Shala,