Gjykata në Hungari ka refuzuar ekstradimin e ish-kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski.
Gjykata ka hedhur poshtë kërkesën e Maqedonisë së Veriut për ekstradimin e Gruevskit, të dënuar për korrupsion dhe vepra të tjera penale, për shkak të statusit të tij si azilkërkues.
Në deklaratën e saj, gjykatësi tha se gjyqi ka analizuar vetëm legjitimitetin e çështjes së ekstradimit dhe se ligjet që janë në fuqi në Hungari e pamundësojnë ekstradimin e tij për shkak të statusit të ish-kryeministrit maqedonas si azilkërkues.
Gjykatësi ka theksuar se urdhri ndërkombëtar për arrestimin e Gruevskit ende është valid dhe se vendimi i gjykatës vlen vetëm në Hungari, duke shtuar se atij po ashtu i është hequr masa e arrestit.
Ish-kryeministri maqedonas është dënuar me dy vjet heqje lirie për rastin “Tanku” lidhur me furnizimin e automjetit luksoz “Mercedes” në vlerë prej 570 mijë euro, ndërsa gjykohet edhe në disa raste të tjera për akuza që kanë të bëjnë me korrupsion, shpërdorim mjetesh financiare, si dhe vepra të tjera penale.
Vetë Gruevski në nëntor të vitit të kaluar në rrjetet sociale pati njoftuar se Hungaria është përgjigjur pozitivisht në kërkesën e tij për azil, pasi u arratis duke u arsyetuar se po përballet me një përndjekje politike nga qeveria aktuale e këtij vendi.