Presidenti Donald Trump i tha homologut rus Vlaidimir Putin që të mos ndërhyjë në zgjedhjet amerikane, pas skandalit që solli hetime 2 vjeçare ndaj fushatës së tij në 2016-ën.
Ndërsa pyetej nga gazetarët nëse do e ngrinte këtë çështje gjatë takimit me Putin, Trump tha “sigurisht që po”. Trump më pas u kthye përballë Putin, duke i’a dhënë direktivën për herë të dytë, ndërkohë që presidenti rus buzëqeshte. Dy liderët janë takuar përpara samitit të grupit të 20 në Osaka, që është takimi i parë zyrtar që prej samitit në Helsinki në Korrikun e kaluar. Marrëdhëniet mes 2 vendeve janë përkeqësuar, që kur Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014 dhe mbështeti presidentin Bashar al-Assad në luftën siriane. Trump ka kërkuar marrëdhënie të mira me Putin, për të trajtuar shumë çështje, përfshirë ndalimin e Koresë së Veriut në prodhimin e armëve bërthamore.
“Është nder të jem me presidentin Putin. Kemi shumë gjëra për të diskutuar përfshirë tregtinë, çarmatosjet dhe mbase edhe proteksionizmin, në një mënyrë pozitive. Shumë gjëra pozitive do të dalin nga kjo marrëdhënie,” u shpreh Trump.
Trump dhe Putin do takoheshin në fund të Nëntorit në samitin e G20 në Buenos Aires, por Trump e anuloi takimin. Në Maj, dy liderët patën bisedën e parë të gjatë telefonike në disa muaj. Trump tha se folën për një marrëveshje të re për të limituar armët bërthamore, që do të përfshijë edhe Kinën. Rusia përballet me sanksione ndëshkuese të vendosura nga SHBA dhe Bashkimi Europian. Kritikët e Trump e kanë akuzuar se është shumë miqësor me Putin.