Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ia ka dërguar Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe miratim një draft-rezolutë për kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
“Duke marrë parasysh kërkesat e vazhdueshme të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, drejtuar institucioneve të Republikës së Kosovës, që të ndihmojë në mbrojtjen dhe përmirësimin e gjendjes së tyre dhe realizimin e kërkesave të tyre historike, në mbështetje të nenit 65.1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenit 6.1 të Rregullores së Kuvendit, bashkëngjitur me këtë shkresë Ju dërgojmë për shqyrtim dhe miratim në Kuvend, Draft Rezolutën për kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, thuhet në shkresën përcjellëse të presidentit Thaçi dërguar kryeparlamentarit Veseli.
Në këtë draft-rezolutë, të cilën e ka lexuar Kp thuhet se institucionet e Republikës së Kosovës, përmes kësaj rezolute, obligohen që të respektojnë vullnetin politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën, të shprehur me Referendum të vitit 1992 si dhe me Luftën e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, gjegjësisht shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre autoktone, në komunat e administruara nga Serbia: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, sipas vullnetit të tyre të lirë për vetë përcaktim, në këtë draft-rezolutë thuhet se janë kërkesa legjitime, në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe janë kërkesa që kanë të bëjnë me të drejta historike dhe politike dhe me të drejta të një popullate që dëshiron të jetojë e lirë si të gjithë popujt e Evropës.
“Kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës janë kërkesa që i ndihmojnë stabilitetit afatgjatë të rajonit dhe që kontribuojnë në vendosjen e paqes afatgjatë të rajonit dhe hapjes së një kapitulli të ri në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Republika e Kosovës mbështet kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe të gjitha organet dhe institucionet e saj do të mbështesin këto kërkesa, pa asnjë dallim politik apo dallim tjetër”, thuhet ndër të tjera në këtë draft-rezolutë.
Po ashtu, sipas draft-rezolutes, me qëllim të mbështetjes së kërkesave legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, institucionet e Republikës së Kosovës duhet të kenë më shumë kujdes dhe interesim gjithëpërfshirës për të ndihmuar shqiptarët e Luginës së Preshevës në çdo sferë të jetës dhe për të jetësuar kërkesat e tyre legjitime do të ndërmarrin hapat që përfshijnë, por nuk kufizohen, si në vijim:
1. Kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës do të jenë pjesë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përfaqësuesi i Luginës së Preshevës të jetë pjesë e delegacionit të bisedimeve;
2. Çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës të ngritët në çdo forum ndërkombëtar që marrin pjesë përfaqësuesit e institucioneve të Republikës së Kosovës;
3. Institucionet e Republikës së Kosovës të bashkëpunojnë dhe të bashkëkoordinojnë me institucionet e Republikës së Shqipërisë hartimin e platformës së përbashkët për shqiptarët e Luginës së Preshevës./bota sot