Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka ka bërë të ditur sot se është ngritur një grup pune me koordinator odën Ekonomikë të Kosovës dhe Dhomën e Tregtisë Tiranë, që do të mbledhë dhe filtrojë gjithë problematikën mes Shqipërisë dhe Kosovës brenda datës 15 korrik.
Ky grup pune u ngrit pasi në Konferencën e 21 majit në Tiranë “Mundësitë dhe sidat e marrëdhënieve tregtare Shqipëri-Kosovë” dolën në pah pengesat e mëdha që po përjetojnë sipërmarrjet e dy shteteve. Në një sondazh me sipërmarrjen e Kosovës, Shqipëria radhitej e dyta në pengesat për të bërë biznes, pas Serbisë.
Nga ana tjetër edhe sipërmarrja shqiptare ka shprehur rezervat e veta lidhur me pengesat e të bërit biznes me fokus eksportin.
“Politika e dy vendeve tona duhet të orientohet drejt ekonomisë”, tha Jaka. “Qeveritë tona të ulen dhe të zgjidhin problematikat që hasin dy sipërmarrjet tona dhe kjo është dhe detyra e forumit dhe jam i bindur që brenda datës 30 korrik ne do dalim me një plan veprimi nëse qeveritë tona nuk marrin parasysh kërkesat e sipërmarrjes së dy vendeve”.
Dhoma e Tregtisë Tiranë u bëri thirrje publike gjithë sipërmarrjeve shqiptare që eksportojnë në Kosovë që deri në datën 15 korrik të reklamojnë me shkrim problematikat që kanë hasur gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre në Kosovë. jaka tha se numri i sipërmarrjeve shqiptare që eksportojnë në Kosovë nuk e kalon 800 subjekte tregtare duke iu referuar të dhënave të 6 mujorit të parë 2019. “Një shifër kjo jashtë mase e ulët po ta krahasojmë me potencialet që kanë sipërmarrjet tona të një kombi”.
Më herët, autoritetet e Kosovës kishin paralajmëruar që në datën 1 korrik do të vendosnin barriera në tregtinë me Shqipërinë, të ngjashme me ato në Kosovë. Nga qeveria shqiptare, që ishte e zënë me zgjedhjet lokale, nuk ka pasur ndonjë reagim.
Tashmë afati i ri duket se është 30 korriku dhe nëse deri atëherë nuk do të jenë marrë masa, mësohet se bizneset janë të vendosura të reagojnë deri në bllokim të kufirit nga të dyja anët.
Pengesat e bizneseve
Klubi i Prodhuesve të Kosovës ka vlerësuar pengesa kryesore ato jo-tarifore, ku në çdo eksport, autoritetet shqiptare iu kërkojnë kopjen origjinale (ose kopjen e noterizuar) të Certifikatës së Cilësisë për produktet që i nënshtrohen kontrollit fitosanitar dhe veterinar. Procedurat e zhdoganimit në Shqipëri, pagesa e skanerit, noterizimi i analizave, pagesa në rrugën e kombit, mos-marrja për bazë e çmimit të faturës nga Dogana Shqiptare, zbatimi i normës të lartë të akcizës për sektorin e birrës, janë disa nga pengesat të cilat e rrisin koston e prodhimit por edhe e ulin nivelin e konkurrueshmërisë së produkteve të Kosovës në tregun e Shqipërisë.
Si rrjedhojë, bizneset e Kosovës kanë kërkuar: Heqjen e pagesës për skanerin në Republikën e Shqipërisë për të gjithë qarkullimin tregtar import-eksport Kosovë-Shqipëri. Njohja e certifikimeve dhe analizave fito sanitare të të gjithë produkteve që i nënshtrohen këtyre analizave dhe certifikatave. Përshpejtimi i procedurave doganore, në trajtimin e praktikave të qarkullimit tregtar dhe ekonomik ndërmjet dy shteteve. Të hiqet tërësisht për prodhuesit e dy vendeve taksa prej 22.5 EUR vajtje/ardhje për kamionët, pasi e njëjta paraqet pengesë në zhvillimin dhe bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve. Heqja e të gjitha barrierave duke përfshirë edhe akcizën për birrën.
Për bizneset shqiptare pengesat kryesore janë tarifa e parkimit të kamionëve prej 40 euro në ditë dhe mosnjohja e certifikatave fitosanitare.