Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dënoi sulmin vdekjeprurës në një qendër migrantësh në Libi, ndërsa u bëri thirrje palëve të përfshira në luftë që urgjentisht të bëjnë armëpushim.
Organi më i fuqishëm i OKB-së po ashtu u bëri thirrje palëve që t’iu kthehen bisedimeve politike, të ndërmjetësuara nga OKB-ja.
Deklarata e së premtes është e para që miratohet nga të 15 anëtarët e Këshillit prejse forcat e komandantit Khalifa Haftar, i cili kontrollon lindjen e Libisë, kanë nisur një ofensivë në muajin prill për të marrë kontrollin e Tripolit, i cili kontrollohet nga një qeveri e mbështetur ndërkombëtarisht.
Së paku 44 njerëz janë vrarë nga sulmi në qendrën e ndalimit të migrantëve në lindje të Tripolit, më 2 korrik.
Një zëdhënës i Haftarit mohoi se forcat e tij kanë qenë të përfshira në sulm dhe fajësoi Qeverinë në Tripoli për të.
Së paku 600 migrantë, përfshirë gra dhe fëmijë, mbaheshin në qendrën Tajoura, e cila ishte shënjestër e sulmit.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së po ashtu shprehu “shqetësim të thellë” për, siç tha, përkeqësimin e situatës humanitare në Libi dhe për kushtet në qendrat e ndalimit të migrantëve, që, siç tha, “janë përgjegjësi e Qeverisë së Libisë”.
Së paku 6,000 migrantë nga Eritrea, Etiopia, Somalia, Sudani dhe vende të tjera janë të ndaluar në kampet në Libi.
Libia është shkatërruar nga dhuna dhe ndarja qëkur udhëheqësi i saj veteran, Muammar Gaddafi, është rrëzuar nga pushteti dhe është vrarë në vitin 2011.