Rruga nacionale Gjakovë-Tropojë mori emrin e kongresmenit amerikan, mikut të çmuar të shqiptarëve, Eliot Engel. Në Qafë Morinë, kufirin mes Gjakovës e Tropojës, me pjesëmarrjen e Eliot Engel, presidentit shqiptar Ilir Meta dhe kryetarit të Gjakovës, Ardian Gjini e atij të Tropojës, Besnik Dushaj, u mbajt ceremonia e veçantë e emërtimit të kësaj rruge.
Kryetari i Tropojës, Besnik Dushaj, tha se vendimi ishte marrë bashkërisht nga bashkia që drejton dhe Komuna e Gjakovës për të nderuar kontributin e kongresmenit që shqiptarët në të dyja anët e kufirit të jenë të lirë dhe më të bashkuar.
Dushaj: Nderojmë Engel përmes emërtimit të rrugës Tropojë-Gjakovë
“Këtu në Qafën e Morinës, në qafen e historisë, në vendin simbol të shqiptarëve në të dy anët e kufirit jemi sot për të përjetësuar veprën e një personaliteti të shquar amerikan dhe një miku të madh të popullit shqiptar, kongresmenit Eliot Engel nëpërmjet dhënies së emrit të tij rrugës nacionale Tropojë-Gjakovë e cila bashkon Republikën e Shqipërisë me Republikën e Kosovës. Emri i kongresmenit Eliot Engel është i njohur për çdo shqiptarë. Ka 30 vjet që është anëtar i organit më të lartë legjislativ në Shtetet e Bashkuara të Kongresit amerikan po aq 30 vjet është miqësia e tij me shqiptarët”, deklaroi kru i Bashkisë së Tropojës, Besnik Dushaj./botasot