Nga ai vit plot konvulsione, befasues dhe i paharrueshëm mund të shihet, në faqet e librit, i gjithë filmi: ngjarjet (Lajpcigu, Drezdeni, Varshava, Praga, Budapesti, Berlini, Bukureshti); precedentët (Solidarnosc-i 1980, Praga 1968, Budapesti 1956, pa harruar grevat e punëtorëve në vitin 1976 në Radom dhe Ursus dhe në vitin 1970 në brigjet e Balltikut); koha e përshpejtuar dhe efekti domino (“Polonia dhjetë vjet, Hungaria dhjetë muaj, RDGJ dhjetë javë, Çekosslovakia dhjetë ditë, Rumania dhjetë orë, Shqipëria dhjetë minuta…). Dhe natyrisht protagonistët – Havel, Valesa, Gorbaçov, Kohl, reagan, Thatcher dhe mbi të gjithë Papa Gjon Pali II – dhe strategjitë e tyre respektive
***
Herët a vonë, historia ta sjell gjithmonë faturën. Shpesh herë bëhet fjalë për një faturë të kripur, e herë të tjera, faturë të cilës nuk i mungon ironia. Dhe duhet të jetë për ironi të historisë, që zgjedhjet evropiane të 26 majit, të parat ku në lojë ishte vetë mbijetesa e Bashkimit Evropian, kanë rastisur pikërisht në tridhjetë vjetorin e shembjes së Murit të Berlinit, ngjarje e cila u bë faktor vendimtar për ribashkimin e Evropës.
Dhe duhet të jetë për një “tallje” të historisë, që zgjedhja e Donald Trump-it si president i Shteteve të Bashkuara, një forcë e fuqishme shtytëse për populizmat dhe sovranitetet evropiane, ndodhi po të njëjtën ditë me rënien e Murit, më 9 nëntor, pothuajse sikur të donte të hidhte poshtë, njëzet e shtatë vjet më vonë, shpresat, iluzionet dhe perspektivat e rreme (“Çfarë dite! Çfarë dite! Demokracia joliberale ka marrë fund, unë ndihem i çliruar nga korrektësia politike”, komentoi Viktor Orbán mbi rezultatin e zgjedhjeve presidenciale amerikane). Por në histori ashtu si në ëndrra, na ka mësuar Frojdi, rastësitë e numrave nuk janë kurrë rastësore: na fusin në rrugën e gjurmëve të humbura ose të largëta, duke na lejuar të rindërtojmë, në mënyrë më të besueshme, gjenealogjinë e një të tashmeje të harruar.
Në të tashmen kemi një Bashkim Evropian i cili më 26 maj psherëtiu i lehtësuar, duke refuzuar kërcënimin sovran-populist, por që mbetet i ndarë nga hendeqe të thella – territoriale, ekonomike, sociale, politike, kulturore – ndaj të cilave, detyrimi për të qenë unitar rrezikon ta bëjë, gjithnjë e më pak joshës dhe efektiv. Nga ku burojnë këto gabime dhe si ndreqen? E privuar siç është nga pesha historike, politika nuk jep përgjigje, ose i jep të gabuara. E ballafaquar me përçarjen ekonomike mes veriut dhe jugut, e cila u zgjerua me krizën e vitit 2008, BE u përgjigj me politikën e kursimit dhe disiplinimit të borxhit, si dhe me përrallën e milingonave dhe gjinkallave, duke e rënduar më tej ndarjen.
Përballë ndarjes politike mes veriut dhe jugut, e shenjuar prej eksperimenteve të “demokracisë joliberale” në Hungari dhe në Poloni, tranzicionet e papërmbyllura demokratike në Serbi dhe Ukrainë, apo regjimet neoautoritare në Bjellorusi dhe Azerbajxhan, BE u fsheh, duke u mbështetur në forcën e modelit liberal demokratik perëndimor, kundër spektrit sovranist. Por rezultati, edhe në këtë rast, ishte zgjerimi i hendekut dhe riprodhimi i tij në brendësi të shteteve perëndimore, parasëgjithash në laboratorin italian, gjithmonë i zellshëm. Dhe në fund, përballë hendekut të tretë, krizës së imigrantëve e cila destabilizon në mënyrë të përhershme kufijtë, edhe kështu të brishtë, BE vazhdon të mos përgjigjet fare, duke ushqyer politika gjithnjë e më të prirura për tek siguria, si dhe duke lejuar ngritjen e mijëra gardheve, në kundërshtim të plotë me imazhin e “hapësirës pa kufij” dhe “shoqërisë së hapur”, që duhej të karakterizonte Evropën.
Kaq mjafton – ose duhej të mjaftonte – për të konkluduar se ripropozimi kokëfortë i recetës neoliberale ka prodhuar dhe riprodhon krizë ekonomike, politike dhe demografike të kontinentit të vjetër: dhe që duhet të ndryshohet rrugë, duke kthyer mbrapsht shiritin e konstruksionit evropian dhe pranuar gabime, iluzione, keqkuptime, paradokse. Tridhjetë vjetori i 1989 duhet të jetë rasti i duhur për ta bërë, por me kushtin që të dalim një herë e mirë nga narrativat njëdrejtimëshe dhe triumfale të ngjarjeve të atij viti, të cilat deri sot kanë qenë bërthama e fortë e ideologjisë europeiste. “Pa murin: Dy Evropat pas shembjes së komunizmit”, një përmbledhje e shkrimeve të politologut Jacques Rupnik, na fut në rrugën e duhur për këtë rishikim të tre dekadave të fundit. I lindur në Pragë, këshilltar i Vaslav Havelit në vitet nëntëdhjetë, anëtar i komisionit ndërkombëtar për Ballkanin dhe atij për Kosovën, docent në disa universitete evropiane dhe amerikane, Rupnik kryqëzon vështrimin mbi çështjet e Evropës lindore, qendrore dhe perëndimore pas “revolucioneve të kadifenjtë” të 1989 dhe zgjerimit në lindje të Bashkimit Evropian në vitet 2004-2007, duke rindërtuar një gjëzë politike, sociale dhe kulturore të kontinentit, më e plotë dhe më komplekse nga ajo që jemi mësuar. Por motivi i librit është politik, dhe përmblidhet në dy pyetje mbi të sotmen.
Dy pyetje mbi të sotmen
E para: ngjitja e lëvizjeve dhe qeverive populiste, sovraniste dhe antievropiane, të shpallura joliberale apo dukshëm neoautoritare, sinjalizon një problem në Evropën qendrore dhe lindore, me shkak ndoshta trashëgiminë e regjimit sovjetik, ose ndoshta paralajmëron një tendencë transevropiane dhe transatlantike të postdemokracive bashkëkohore. Aq më shumë nëse fusim në llogari edhe qeverinë italiane, Brexit apo presidentin Trump në SHBA? Pra, bëhet fjalë për një rikthim të lindjes, apo një shmangie të perëndimit? E dyta: a po shohim sot dhe jo që nga sot, përmbysjen e të gjithë premtimeve dhe premisave të tetëdhjetë e nëntës në të kundërtën e tyre: nga rrëzimi i murit, tek ndërtimi i barrierave për imigrantët, nga triumfi tek kriza e demokracisë liberale, nga ribashkimi i Evropës tek ndarjet e reja që po i hapin brazda, nga triumfi i ekonomisë së tregut, tek katastrofa financiare e vitit 2008, nga shoqëria e hapur tek izolimet identitare, nga projekti mbinacional evropian tek nacionalizmat, nga lëvizjet disidente në emër të të drejtave të njeriut tek ligjet kundër OJF-ve, nga miti i qeverisjes globale tek kështjellat sovraniste. Si duhet të interpretohet kjo përmbysje? Kanë qenë premtime të tradhëtuara apo premisa të gabuara? Apo të dyja bashkë?
Të dy këto pyetje i referohen proceseve të shkaktuara nga “revolucioni” i tetëdhjetë e nëntës, sot e kësaj dite i debatueshëm sa u përket përkufizimeve që i janë bërë: shpërthim nga brenda i sistemit sovjetik sipas disave; praktikë e padhunshme e mosbindjes civile sipas të tjerëve; revolucion “rekuperues”, pa ide të reja plot forcë dhe që synonte vetëm imitimin e perëndimit, sipas Habermasit; por pa asnjë dyshim, sipas Rupnikut, revolucion demokratik antitotalitar, i fundit që e bëri Evropën skenar të një ngjarjeje botërore, me pasoja në kontekste të tjera – pranverat arabe të njëzetë viteve më vonë – dhe me pasoja vendimtare në asetin gjeopolitik të planetit.
Nga ai vit plot konvulsione, befasues dhe i paharrueshëm mund të shihet, në faqet e librit, i gjithë filmi: ngjarjet (Lajpcigu, Drezdeni, Varshava, Praga, Budapesti, Berlini, Bukureshti); precedentët (Solidarnosc-i 1980, Praga 1968, Budapesti 1956, pa harruar grevat e punëtorëve në vitin 1976 në Radom dhe Ursus dhe në vitin 1970 në brigjet e Balltikut); koha e përshpejtuar dhe efekti domino (“Polonia dhjetë vjet, Hungaria dhjetë muaj, RDGJ dhjetë javë, Çekosslovakia dhjetë ditë, Rumania dhjetë orë, Shqipëria dhjetë minuta…). Dhe natyrisht protagonistët – Havel, Valesa, Gorbaçov, Kohl, reagan, Thatcher dhe mbi të gjithë Papa Gjon Pali II – dhe strategjitë e tyre respektive. Rindërtimi i ngjarjeve nuk bie në retorikën e spektakolarizimit dhe as të paparashikueshmërisë së ngjarjes: më shumë është një rindërtim i procesit 1989, inkubuar në krizën e gjatë dhe të thellë të sistemit sovjetik dhe i përshpejtuar me vetëdije nga reformizmi i Gorbaçovit, që në fund, megjithatë, nuk arrin të frenojë pasojat mbi vetë ekzistencën e BRSS. I pilotuar fillimisht nga Gorbaçovi por edhe nga Reagani, fundi i luftës së ftohtë do të përkojë me fundin e socializmit real, me ratifikimin e paaftësisë reformuese të tij, me triumfin e modelit perëndimor, por edhe me fitoren e zgjidhjes autoritare të Ten Hsiaopinit për krizën e komunizmit, ndaj asaj reformiste të udhëheqësit sovjetik.
Por këtu nuk më intereson të ndalem aq tek filmi, të cilin festimet e tridhjetë vjetorit do të na bëjnë ta shohim shumë herë, se sa në vazhdimësinë, fillimin e të cilës e shënon gjithmonë fundi i një filmi të mirë. Çfarë fillon në Evropë, me përfundimin e 1989-ës? Evropa qendrore ishte vetëm protagoniste, apo edhe një objektiv, për fuqitë që i dhanë fund Luftës së Ftohtë, dhe revolucionit të 1989? Nëse ai revolucion ribëri mitin e popullit sovran, i cili merr në duar fatin e tij, çfarë ka mbetur nga ai popull dhe ai sovranitet, në populizmat e sotme sovraniste? Nëse shtytja për atë revolucion erdhi nga një brez të rinjsh dhe intelektualësh radikalë, i hapur, ironik, “jo kundër regjimit por tashmë përtej tij”, çfarë ka ndodhur me atë brez dhe me disidencën, të cilës i dha zë? Në fund, nëse objektet e dëshirave të atij revolucioni ishin demokracia dhe “rikthimi në Evropë”, çfarë ka ndodhur sot me demokracinë në Evropë, dhe të Evropës?
Premisa të paqarta, premtime të tradhëtuara
Rrugëtimi biografik dhe politik i Orbanit, i rritur në brezin e fundit të disidencës liberale hungareze për të përfunduar në vitin 2016, tek formulimi i “demokracisë joliberale”, apo ai i Jaroslav Kaczynskit, i formuar në brendësi të Solidarnosc-it dhe ish këshilltar i Valesës, ofrojnë disa të dhëna për t’u përgjigjur. Por Rupnik e artikulon analizën e tij në një dimension më të gjerë, në kryqëzimin mes paqartësisë së premisave të revolucioneve të Evropës lindore dhe tradhëtimit të premtimeve të Evropës perëndimore.
Paqartësisë dhe naivitetit të premisave i atribuohen pasioni pa asnjë kritikë për modelin liberal demokratik perëndimor si dhe përkatësia pa asnjë kritikë në “konsensusin neoliberist të Uashingtonit”; vënia e theksit në të drejtat e njeriut, te kundërvëna me efikasitet ndaj totalitarizmit sovjetik, por që në vijim u përdorën si burim legjitimimi për “luftërat humanitare” të viteve nëntëdhjetë dhe ndërhyrjes amerikane në Irak dhe Afganistan, rrethana në të cilat vendet e Evropës qendrore kanë qenë më pranë SHBA, se sa BE; një konceptim i sovranitetit popullor, kryqëzuar me patriotizmin nacionalist kundër BRSS, dhe si pasojë të ekspozuar që në origjinë ndaj hijeve të sotme populiste-sovraniste.
Nga ana tjetër janë premtimet e tradhëtuara të perëndimit: oferta e një demokracie gjithnjë e më të varfër, e reduktuar në rite elektorale, e gërryer prej krizës së përfaqësimit, korrupsionit, tiranisë së tregjeve dhe mjeteve të informimit; miti i një forme post-nacionale të BE – por që nuk u përkthye kurrë në arkitekturë institucionale – pa asnjë lloj tërheqje për ndjenjën nacionaliste të Evropës qendrore; një zgjerim i Unionit në vendet e lindjes, shumë më i ngjashëm me një aneksim, se sa një “rikthim në Evropë” pas “sekuestrimit sovjetik”.
Rezultat i këtyre dy parabolave ka qenë një konstruksion evropian i mbushur me keqkuptime, dhe më tej i kompromentuar prej krizës ekonomike dhe krizës së imigrantëve, kjo e fundit e perceptuar nga vendet e lindjes si një shuplakë e multikulturalizmit perëndimor dhe postkolonial, ndaj iluzionit të tyre për të kontribuar në rithemelimin e identitetit kontinental, me rizbulimin e identiteteve të tyre kombëtare.
Procesi i bashkimit të Evropës, që shihte vendet e Vishegradit si shembuj të tranzicionit demokratik dhe që u kurorëzua në 2014 me zgjedhjen e kryeministrit polak, Donald Tusk, si president i Këshillit Evropian, u shndërrua kështu në prodhues frakturash të reja. Sot Evropa është e bashkuar, përveçse nga një monedhë e shumëdebatuar, vetëm nga kriza demokratike: por në të cilën – dhe kjo është çështja – “demokraturat” e vendeve të Vishegradit duken jo si mbetje e botës që ishte, por si pararojë e botës që do të vijë.
Ingredientët e “demokracisë joliberale” të Orbanit – refuzimi i shtetit të së drejtës në emër të një konceptimi absolut të sovranitetit popullor; kontrolli i mediave dhe magjistraturës; politikat identitare dhe nacionaliste; luftërat kulturore në mbrojtje të vlerave tradicionale (Zoti, atdheu dhe familja) kundër “totalitarizmit të ri” të të drejtave, përhapen si njollë vaji në të gjithë populizmat evropiane, siç e kemi parë në laboratorin italian, dhe jo vetëm në ata evropianë, siç e kemi parë në SHBA me Trump-in. Dhe nisin të shfaqen edhe atje ku populizmat nuk lulëzojnë dhe nuk qeverisin, në praktikat e postdemokracive gjithnjë e më të zbrazura, si dhe në shoqëritë gjithnjë e më të tërhequra prej njerëzve të fortë dhe zgjidhjeve të thjeshta.
Tridhjetë vjet pas rënies së Murit të Berlinit, sipas konkluzionit të Rupnik, cikli që u hap në vitin 1989 u plotësua historikisht dhe do të mbyllet politikisht me një vendim mosvazhdimësie. Triumfi i perëndimit, i dekretuar në fundin e luftës së ftohtë, ka përkuar në realitet me fillimin e rënies së tij, përballë ngjitjes së fuqisë kineze. “Rendi i ri botëror” që SHBA u përpoqën të imponojnë duke eksportuar demokracinë përmes armëve ka prodhuar luftëra, fondamentalizma, terrorizëm ndërkombëtar dhe migrim në masë. Demokracia, që tridhjetë vjet më parë u paraqit si destini politik spontan ose i detyruar i të gjithë planetit, gjendet sot në një krizë të paprecedentë forme, thelbi dhe legjitimiteti, pikësëpari në vendet që kanë më shumë eksperiencë. “Feja” e tregut është thyer në një krizë ekonomike e financiare të paprecedentë. Globalizimi ka nxjerrë masa shumë të mëdha njerëzish nga varfëria në disa rajone të botës, por me koston e pabarazive të papërballueshme në rajone të tjera, duke e margjinalizuar rolin e Evropës, në krahasim me atë të SHBA dhe Kinës. Dhe Evropa, nga një laborator i një eksperimenti të bashkimit postnacional është shndërruar në shënjestër e shtytjeve të brendshme nacionaliste, si dhe shënjestër e goditjeve shkatërrimtare të jashtme, nga SHBA e Trumpit dhe Rusia e Putinit.
A ka një rrugëdalje? Nuk duhet të nënvlerësohen faktorët që sot e kësaj dite sigurojnë qëndrueshmërinë e Unionit, as edhe ndarjet e fundit në grupin e Vishegradit, as edhe fakti që, në mënyrë paradoksale, pikërisht opinioni publik i atyre vendeve sheh tek Evropa, të vetmin antitrup ndaj devijimit në autoritarizëm, “mbrojtja e fundit kundër demonëve tanë”. Sado e sëmurë, demokracia ka ende kartat e saj për të luajtur kundër totalitarizmit, në lindje dhe në perëndim. Por me një kusht, sipas Rupnik, që “të ribashkojë demokracinë dhe liberalizmin, gjë që nënkupton bërjen e dallimit mes liberalizmit politik dhe liberizmit ekonomik”.
Këtu qëndron nuhatja dhe njëkohësisht limiti i analizës së autorit, i cili me të drejtë fajëson “konfuzionin dhe në fakt bashkëpunimin mes liberalizmit dhe liberizmit”, për telashet sociale e politike si dhe ekuivoket kulturore të ciklit të pas 1989, por ka iluzionin – ashtu si shumë liberaldemokratë – që ky konfuzion mund të zhduket dhe ky bashkëpunim mund të ndërpritet, duke hequr qafe liberizmin ekonomik dhe duke rikthyer normën dhe normalitetin liberal demokratik. Neoliberalizmi që dominon botën prej dyzetë vjetësh dhe që ka përcaktuar prirjen dhe fatet e 1989-ës, është diçka më shumë se sa një mbivendosje apo një ngatërresë, mes liberizmit ekonomik dhe liberalizmit politik: është një formë racionaliteti, e cila vendos mbi themelin e kodit ekonomik të tregut dhe konkurrencës, të gjithë ndërtesën e bashkëjetesës, që nga baza antropologjike, deri në majën institucionale.
Demokracia liberale dhe subjektet e saj tradicionale – individi racional, dèmos-i i farkëtuar prej pjesëmarrjes dhe vlerave të përbashkëta, partitë si qendra të praktikës së rregulluar të konfliktit, ndarja e pushteteve si garanci e shtetit të së drejtës – dalin të ndryshuara jo në mënyrë të kushtëzuar, por strukturalisht. Të djathtat e reja populiste dhe sovraniste e kanë kuptuar përsosmërisht, me kritikën e tyre të individualizmit, “ribërjen” e popullit sovran, përçmimin eksplicit që kanë për shtetin e së drejtës: dhe udhëtojnë në rrugën e demokracisë joliberale, siç e ka konfirmuar edhe Vladimir Putini në një intervistë për “Financial Times”, pak ditë më parë. Në fakt, është nga fusha e të majtës, që mungon një propozim në lartësinë e kohës. Nëse neoliberalizmi ka qenë ideologjia e fundit hegjemoniste e nëntëqindës, për të dalë nga kriza e tij duhet një shpikje kundër-hegjemoniste me të njëjtën forcë, e cila ende nuk po shihet në horizont.
Ida Dominijanni, Internazionale – Përshtatur në shqip nga bota.al