Asnjë rrjet i tradhtarëve apo organizatave terroriste nuk mund të prishë unitetin, solidaritetin dhe vëllazërinë në Turqi, tha presidenti Recep Tayyip Erdoğan në përvjetorin e tretë të tentatıvës për grusht shteti nga organizata terroriste FETO.
Duke u adresuar para qytetarëve në programin përkujtimor në Aeroportin Ataturk të Stambollit, Erdoğan tha se Turqia kurrë nuk do të mund të pushtohet nga “ata që ia shitën shpirtrat e tyre djallit”.
“Askujt që tentoi të kryejë grusht shteti nuk i ngeli përfitim dhe, me lejen e Zotit, as në të ardhmen nuk do t’u ngelet”, tha Erdoğan.
“Natën e 15 Korrikut, deshën ta varrosin Turqinë në errisirë, por dështuan. Allahu shkatërroi kurthet e tyre”, shtoi presidenti i Turqisë.
Në fjalën e tij, Erdoğan përshëndeti ushtarët dhe stafin e Forcave të Armatosura të Turqisë.
Ai po ashtu paralajmëroi se të gjitha raketat mbrojtëse S-400 do të vendosen në Turqi deri në prill të vitit 2020.
Pas programit, Erdoğan mori pjesë edhe në inaugurimin e Muzeut Përkujtimor të 15 Korrikut në Urën e Dëshmorëve të 15 Korrikut në Stamboll.
Ndryshe, FETO dhe udhëheqësi i saj me bazë në SHBA, Fetullah Gülen, orkestruan tentativën për grusht shteti më 15 korrik të vitit 2016 në Turqi, nga e cila jetën humbën 251 persona dhe rreth 2.200 të tjerë u plagosën.
Me aktivitete të ndryshme, Turqia e shënon këtë ditë si “Dita e Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar”./AA