Të dhënat e tregtisë së jashtme për gjysmën e parë të vitit dëshmojnë për një situatë jo të mirë të shkëmbimeve tregtare. Sipas Institutit të Statistikave, eksportet kanë rënë me afro 6 miliardë lekë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018.
Mirëpo, cilat janë shtetet në të cilat Shqipëria ka pasur më pak ‘dërgesa’ se një vit më parë dhe me cilat grupmallra të eksportit janë ndjerë luhatjet më të theksuara?
Nëse në janar – qershor 2019 eksportet kanë rënë ndjeshëm me rreth 6 miliardë lekë, më shumë se gjysma i dedikohet tregtisë së jashtme me Spanjën. Shqipëria ka eksportuar 3.1 miliardë lekë mallra më pak drejt Spanjës, krahasuar me periudhën janar – qershor 2018, raporton portal ekonomik Scan.
Me cilat shtete Shqipëria shkëmbeu më pak mallra?
Këtë gjysëm të parë të 2019- ës, Instat tregon se Shqipëria ka eksportuar mallra me vlerë 9.52 miliardë lekë drejt Spanjës, kurse në po të njëjtën periudhë të një viti më parë, kjo vlerë ka qenë 12.65 miliardë lekë. Po njësoj, rënie të thelluar të eksportit, Shqipëria ka pasur edhe me partnerët kryesorë tregtarë, Greqinë dhe Italinë.
Me Italinë, vlera e mallrave të eksportuara nga Shqipëria në janar – qershor 2019 ka qenë 75.7 miliardë lekë, duke rënë me 660 milionë lekë krahasuar me janar – maj 2018. Një vit më parë, për po këtë periudhë, eksporti drejt partnerit kryesor tregtar të Shqipërisë, ka kapur vlerën e 76.3 miliardë lekëve.
Sipas Instat, me Greqinë po ashtu, eksporti ka pasur luhatje të forta, me 446 milionë lekë. Në gjysmën e parë të 2019-ës, Shqipëria ka eksportuar 6.4 miliardë lekë mallra drejt Greqisë, kurse në pjesën e parë të 2018-ës, eksporti ka qenë 6.8 miliardë lekë.
Edhe Zvicra është një nga shtetet me të cilat Shqipëria ka pasur luhatje dhe rënie të theksuar të eksporteve. Këtë vit, në periudhën janar – qershor, Shqipëria eksportoi mallra drejt Zvicrës në vlerën e 1.8 miliardë lekëve, 1.8 miliardë lekë më pak se në të njejtën periudhë të një viti më parë.
Duke analizuar të dhënat e Instat, Kina, SHBA, Ukraina, gjithashtu kanë qënë pjesë e ‘humbjeve’ të Shqipërisë në tregtinë e jashtme. Në total, eksporti drejt vendeve të BE- së në gjysmën e parë të 2019-ës, ka rënë me 5.5 miliardë lekë në krahasim me janar- qershor 2018.
Ndërsa me vendet jo anëtare të BE, eksporti në janar – qershor 2019, sipas Instat, ka qenë 1.7 miliardë lekë më pak se e njëjta periudhë e vitit paraardhës. Për këtë periudhë, po njësoj, Shqipëria ka eksportuar afro 1 miliardë lekë më pak edhe drejt shteteve të tjera.
Referuar Instat, në Janar – Qershor 2018, Shqipëria ka eksportuar mallra në vlerën e 11.4 miliardë lekëve drejt këtyre vendeve, kurse e njëjta periudhë e 2019-ës, është mbyllur me 10.5 miliardë lekë eksport drejt këtyre vendeve.
Çfarë ka eksportuar Shqipëria më pak?
Duke analizuar të dhënat e Instat, kuptohet se grupmallrat ‘Minerale, lëndë djegëse, Energji elektrike’ kanë pasur ‘peshën’ më të madhe në rënien e eksporteve për këtë gjashtëmujor të parë të vitit.
Shqipëria ka eksportuar 7.1 miliardë lekë më pak grupmallra ‘minerale, lëndë djegëse, energji elektrike’ krahasuar me të njejtën periudhë të 2018-ës. Sipas Instat, edhe grupmallrat ‘Lëkurë dhe artikujt prej tyre’ janë eksportuar më këtë pjesë të vitit krahasuar me janar – qershor 2018. Referuar Instat, kjo rënie është me 171 milionë lekë.
Në janar – qershor 2018, Shqipëria eksportoi grumpallra ‘Lëkurë dhe artikujt prej tyre’ në vlerën e 1.5 miliardë lekëve, kurse në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, vlera e eksporteve të këtyre të fundit kapi vlerën e 1.3 miliardë lekëve.
Pjesë e grupmallrave që Shqipëria eksportoi më pak në janar – qershor 2019 janë edhe ‘tekstile dhe këpucë’ me ‘Materiale ndërtimi dhe metale’. Instat tregon se në janar – qershor 2018 janë eksportuar 63.3 miliardë lekë grupmallra ‘tekstile dhe këpucë’, rreth 1.1 miliardë lekë më shumë se në pjesën e parë të këtij viti.
Po ashtu, eksporti i grupmallrave ‘Materiale ndërtimi dhe metale’, në janar – qershor 2018, sipas Instat ka qenë 2.8 miliardë lekë më i lartë se në gjashtëmujorin e parë të 2019. SCAN