Udhëzimi i shumëpritur që autorizon prodhuesit e energjisë elektrike nga panelet fotovoltaike për vetëkonsum tashmë ka hyrë në fuqi. Kjo mundëson që të gjithë ata që kanë bërë instalimet të ndjekin procedurat e nevojshme për lidhjen në rrjet me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ndërsa ata që do të instalojnë impiante të reja të aplikojnë sipas dokumentacionit që saktëson udhëzimi. Por ndërsa është bërë e mundur zgjidhja e ngërçit të lidhjes në rrjet ajo që mbetet pezull është pjesa e çmimit me të cilin OSHEE do të blejë tepricat e energjisë nga këta prodhues. Udhëzimi i firmosur nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku nënvizon se këto teprica do të hidhen në rrjet pa kundërshpërblim pasi për momentin nuk ka të miratuar një metodologji çmimi.
“Deri në miratimin e Metodologjisë së përcaktimit të çmimit të blerjes së energjisë elektrike të prodhuar, teprica e energjisë, që tejkalon konsumin mujor, do t’i kalojë Furnizuesit të Shërbimit Universal pa kundër shpërblim për vete prodhuesit” thuhet në pikën e fundit të udhëzimit.
Kjo do të thotë që nëse një vetëprodhues kishte kapacitet që të prodhonte në një ditë 40 kilovat/orë dhe kishte konsum vetëm 30 kilovat/orë ai punonte me gjysmë kapaciteti ose e mbante atë të fikur një pjesë të ditës. Kjo pasi tepricat nuk njiheshin nga ana ligjore dhe nga OSHEE mund të interpretohej si ndërhyrje në sistem. Për ato 10 kilovat/orë tepër në rastin më të mirë njiheshin si konsum dhe në rastin më të keq si shkelje ligjore.
Tashmë me miratimin e udhëzimit tepricat njihen si të tilla dhe mund të hidhen në rrjet veçse deri në momentin që nuk do të ketë një metodologji të miratuar për çmimin vetëprodhuesi nuk do të kreditohet. Pra nëse ai prodhon 40 kilovat/orë në ditë dhe konsumon 30 kilovat/orë në ditë teprica prej 10 kilovat/orë do të shkojë në rrjetin e OSHEE falas.
Me miratimin e metodologjisë falë sistemit të matjes me dy kahë çdo muaj nga ana e OSHEE do të shohë sesa konsumatori ka konsumuar nga energjia e kompanisë dhe sa ka hedhur në rrjet. Nga totali i faturës atij do t’i zbritet vlera e energjisë së tepërt që ka hedhur në rrjet duke e reduktuar kështu faturën finale që paguhet.
Zakonisht për lehtësi të sistemit por edhe për të nxitur investimet në burime të rinovueshme të energjisë është ndjekur praktika e aplikimit të çmimeve të njëjta pra nëse një konsumator ble sot nga OSHEE me 9.5 lekë/kwh edhe teprica e tij blihet me po 9.5 lekë/kwh por kjo mbetet për t’u parë.