Inaugurohet shtëpia e re e drejtësisë. Godina që do të ketë vendndodhjen e saj te ish-Fusha e Aviacionit, do të vendoset administrata e KLP-së dhe KLGJ-së. Kjo godinë do të emrërtohet si “Poli i Drejtësisë”. Inaugurimi u bë sot, në 3-vjetorin e miratimit të Reformës në Drejtësi.
Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë shumë personalitete, si e ngarkuara me punë e SHBA-ve në Tiranë, Leyla Moses-Ones, shefja e ONM-s Genoveva Ruiz Calavera, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj si dhe drejtuesit e KLP, Gent Ibrahimi, KLGj dhe Magjistraturës.
Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Genti Ibrahimi gjatë fjalës së mbajtur në këtë ceremoni, u shpreh se lajmet nga drejtësia fatkeqësisht i ngjajnë një buletini lufte, që nga vettingu, vonesa dhe reminishenca të kaluara, të cilat edhe sot i ngatërrohen nëpër këmbë drejtësisë së re.
“Ne bëmë çmos që ta organizonim sot këtë ceremoni, pikërisht sot në ditën e përvjetorit të amendamenteve kushtetuese që celën siparin e reformës në drejtësi. Deshëm që sot t’ju tregojmë shtëpinë tonë të re si dhe të ndaj me ju emocionin e betimit të magjistratëve të rinuj. Janë dy momente me ngarkesë të lartë, simbolike pozitive, që vijnë pas një kohe të gjatë, kur lajmet nga sistemi i drejtësisë për fat të keq i ngjajnë një buletini lufte. Një buletini me vetting, me vonesa me reminishenca që nga e kaluara që ende i ngatërrohet nëpër këmbë instutucioneve të reja. Linjat e hijshme dhe të drejta të kësaj godine të simbolizojnë sistemin e drejtësisë në këtë vend“, u shpreh Ibrahimi.
Ministrja e Drejtësisë vlerësoi këtë nismë të ndërmarrë vite më parë, e cila sipas saj do t’i shërbejë vendit dhe qytetarëve.
Etilda Gjonaj tha se kjo reformë është “një investimi për të sotmen, por edhe për të adhmen”.
Qëllimi kryesor i kësaj reforme, tha ministrja, është “për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë”.
Në prag të ngritjes së dy institucioneve kryesore, Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, Gjonaj u shpreh se ky moment do të përbëjë edhe kthesën e madhe që presin shqiptarët.
“Luftës kundër korrupisonit do t’i bashkohen edhe institucionet e reja, SPAK dhe BKH, që do bëjnë të mundur kthesën e madhe. Është koha për të bërë ndryshimin e kërkuar”, tha Gjonaj.
Zv. ambasadorja amerikane, Leyla Moses-Ones ka marrë pjesë në inagurimin e institucioneve të reja të “Polit të Drejtësisë”.
Në fjalën e saj Ones u shpreh se SHBA do vijojë të jetë krah Shqipërisë për reformën në drejtësi e SPAK.
SHBA ka qëndruar krah Shqipërisë dhe ka nxitur këto ndryshime të mëdha. Qëndruam krah Shqipërisë kur reformat u miratuan tre vjet më parë, qëndruam krah Shqipërisë kur nisi rivlerësimi dhe filloi pastrimi i drejtësisë. Qëndruam krah Shqipërisë ndërsa po ngrihet SPAK. Jemi të sigurtë se ne do të vazhdojmë të qëndrojmë krah Shqipërisë ndërsa reforma në drejtësi i jep një formë të re të ardhmes tuaj.”
Më tej zv.ambasadorja tha se votimi i reformës në drejtësi mesnatën e 22 korrikut tregon se çfarë janë në gjendje të bëjnë udhëheqësit shqiptarë kur punojnë për të mirën e përbashkët.
Ky votim tregon se çfarë mund të bëjnë udhëheqësit e Shqipërisë kur punojnë sëbashku për të mirën e përbashkët. Shumë gjëra kanë ndodhur që para tre vitesh. Shqipëria miratoi ligje për zbatimin e Kushtetues dhe më pas krijoi edhe një Kolegj Apelimi për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, vettingu. BE dhe SHBA krijuan operacionin ndërkombëtar të monitorimit. Ky model ka qenë themeli për pjesën tjetër të reformave që duhet të ndodhin.
Për Zv. Ambasadoren Ones dalja nga sistemi i drejtësisë i shumë gjyqtarëve dhe prokurorëve është fakt se sistemi i rivlerësimit po funksionon.
Tani mbi 15% e prokurorëve dhe gjyqtarëve janë rivlerësuar. Disa kanë kaluar rivlerësimin dhe shumë kanë dështuar. Kjo përfshin gjyqtarët në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese. Disa thonë se ky është një problem, por ne besojmë që kjo tregon që rivlerësimi po funksionon. Sistemi i vjetër ishte i kapur nga korrupsioni dhe ata që vepronin në hije për të mbajtur Shqipërinë prapa. Reforma e theu atë kapje të sistemit të drejtësisë dhe po ja kthen njerëzve. 3 vjet pas atij votimi në mesnatë sot kemi në KLP dhe një KLGJ. KLGJ po punon për të përtërirë Gjykatën e Lartë. KLP ka qenë duke punuar për gurin e çmuar të kurorës të reformave. Krijimin e SPAK. Të dy këshillat janë ngarkuar për krijimin e një sistemi efektiv qeverisjeje, për të përmirësuar efikasitetin dhe për të kthyer besimin e shqiptarëve në sistemin e drejtësisë.”
Drejtorja për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian dhe Shefe e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) deklaroi se BE do të vazhdojë të mbështesë reformën në drejtësi e cila ka arritur një moment kyç.
Në ceremoninë e inagurimit të godinës “Poli i drejtësisë” Genoveva Ruiz Calavera u shpreh: BE ka mbështetur reformën në drejtësi jo vetëm në aspektin financiar por edhe me përkrahje në të gjitha aspektet e saj në ndryshimet kushtetuese. Në këtë punë kemi injurajuar gjithë kohës zbatimin e reformës për të ecur në një drejtim: në konsolidimin e këtij sistemi, që të ishte i pavarur, llogaridhënës si dhe të ishte transparent në të mirën dhe interesin e të gjithë qytetarëve të Shqipërisë. Mbështetja jonë do të vazhdojë edhe tani që reforma ka arritur në një moment kyç.
Ajo nënvizoi konsolidimin e reformës në drejtës dhe konsolidimin e Gjykatës Kushtetuese duke nënvizuar që për shkak të shpejtësisë të mos cënohet cilësia.
“Është thelbësore që përpjekjet të vazhdojnë për konsolidimin e plotë të kësaj reforme me angazhimin e plotë për të ruajtur cilësinë, duke mos dëmtuar cilësinë pavarësisht shpejtësisë. U bëjmë thirrje aktorëve të ndërmarrin përgjejgësitë e tyre pa vonesa. Të kemi konsolidimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Inspektori të Lartë të Drejtësisë. “
Reformën në drejtësi e quajti shans historik dhe është mundësia për të çelur derën e Shqipërisë në BE
Genoveva Ruiz Calavera:“Proverba thotë: Roma nuk undërtua brenda një dite, prandaj një reformë e tillë funksionale nuk mund të bëhet në një ditë por do vite angazhim dhe mbi të gjitha integritet më të lartin e mundshëm.
Të gjithë institucionet kanë një shans historik për Shqipërinë, pasi është përkushtimi juaj që do të përcaktojë suksesin e reformës. Është një mundësi pasi do të jenë brezat e ardhshëm që do të na gjykojnë për këtë reformë. Ëështë një mundësi pasi kjo reformë është mundësia për të celur derën e Shqipërisë në BE prandaj ne nuk mund ta humbasim këtë shans historik”
Fjalën e saj e mbylli me një mesazh për magjistratët e rinj
“Festimi i sotëm është për ju, pasi ju jeni e tashmja por ju i përkisni dhe të ardhmes. Të jeni magjistratë do të thotë që të keni një mision për ti shërbyer vendit tuaj dhe qytetarëve të Shqipërisë. Prandaj çdo vendim që do të merrni në të ardhmen do të ndikojë jo vetëm në karrierën tuaj por edhe në jetën e shumë njerëzve. Prandaj përdorni mirë këtë përgjegjësi duhet të jeni të gatshëm të shërbeni me nder, integritet dhe respekt për shtetin e së drejtës dhe sundimin e ligjit” u shpreh Calavera.
© Argumentum