Presidenti i Republikës, Ilir Meta shprehet krenar që, si ish-kryetar i Kuvendit, pati mundësi të bindë palët politike që të miratonin reformën në drejtësi me konsensus. Tre vjet pas konsensusit historik, ai thekson se ajo që e bën të ndihet mirë janë përpjekjet për të mos lejuar kapjen e sistemit përmes ndryshimeve kushtetuese. Përmes një komenti të gjatë në rrjetet sociale kreu i shtetit falënderon në mënyrë të veçantë Komisionin e Venecias, i cili sipas tij me anë të komenteve të veta i dha politikës shqiptare vijat kushtetuese ku duhet të ecte kjo reformë.
“Krenar që 3 vjet më parë, në detyrën e Kryetarit të Kuvendit, këmbëngula për miratimin me konsensus të plotë të reformës në drejtësi, për të mos lejuar kapjen e sistemit përmes ndryshimeve kushtetuese. Sot kam një falënderim të veçantë për Komisionin e Venecias, për të gjithë ekspertizën e vyer e të pakursyer, që na dha në atë proces”, – shkroi Meta. Ndaj nisur pikërisht nga këto rekomandime, ai bën të ditur se sot pas 3 vitesh ndihet i lumtur që si kryetar Kuvendi këmbënguli me forcë që reforma të zhvillohej pikërisht mbi bazën e asaj analize të pastër juridike dhe duke shmangur kapjen e sistemit të drejtësisë nga politika nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese
“I lumtur që i qëndrova besnik rekomandimeve të këtij komisioni për reformën kushtetuese, që garantonin pavarësi dhe paanshmëri të drejtësisë nga politika”, – shtoi Meta. Presidenti i Republikës nuk harroi të shprehë një mirënjohje të veçantë edhe për miqtë amerikanë, të cilët, gjithashtu, mbështetën miratimin e kësaj reforme. “Një falënderim të veçantë kam sot edhe për Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjen e Zbatimit të Ligjit në Departamentin Amerikan të Shtetit të asaj kohe, z.William Brownfield, për mbështetjen dhe inkurajimin që më dha, që reforma në drejtësi të ishte gjithpërfshirëse dhe të miratohej me konsensus të plotë në Kuvendin e Shqipërisë”, – tha Presidenti i Republikës. Ndërsa thekson se vlerësimi mbi rezultatet e kësaj reforme i përket gjithësecilit ta bëjë, Meta nuk harron të kujtojë se falë saj u bë e mundur që Shqipëria të marrë rekomandimin për hapjen e negociatave në BE. “Sot pas 3-vjetësh, secili nga ne mund të bëjë vlerësimet e tij për këtë reformë. Bazat e ndryshimit rrënjësor të sistemit të drejtësisë janë në ligjin themeltar të shtetit dhe të qarta si drita e diellit. Por vetëm falë atij konsensusi prej 140 votash Shqipëria gëzon ende rekomandimin historik për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian prej tre vitesh”, – shprehet kryetari i shtetit. Por ai shton se ndërsa me miratimin e kësaj reforme vendi mori rekomandimin e çeljes së negociatave, hapja e tyre do të varet sipas tij nga dy zhvillime të rëndësishme, njëra që ka të bëj me zbatimin e drejtë të kësaj reforme dhe e dyta ka të bëj me zgjedhjet e lira dhe të ndershme. “Lidhur me çështjen se kur do të çelen negociatat, kjo do të ndodhë vetëm atëherë kur të gjithë qytetarët shqiptarë të ushtrojnë sovranitetin e tyre përmes zgjedhjeve të lira, të ndershme, demokratike, gjithpërfshirëse dhe të gjithëpranuara, për çdo nivel përfaqësimi politik dhe institucional. Fillimi i negociatave do të jetë i mundur kur zbatimi i Reformës në Drejtësi të shkojë në drejtim të forcimit të shtetit ligjor, mbrojtjes së interesit publik, dhe garantimit të të drejtave demokratike dhe lirive themelore të qytetarëve të Shqipërisë”, – mbyllte komentin e tij Meta ndërsa ftonte qytetarët që të shihnin edhe videon e seancës e mesnatës së 21 dhe 22 korrikut ku u miratuan ndryshimet kushtetuese. /gsh